Një tjetër shtesë pa leje në një pallat në ndërtim në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe 1200 me 2 është sekuestruar në kuadër të vendimit të qeverisë për konfiskimit e ndërtimeve pa leje. Shtesat e kateve pa leje janë ndërtuar në pallatin në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari, të cilit ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i ka vënë dy opsione në dispozicion, deri në sekuestrimin e plotë nga shtetit, cili më pas do ta përdoret për interesa publike.“Në zbatim të vendimit të qeverisë, këtij subjekti do ti vihen dy opsione në dispozicion.
E para është të parablejë hapësirën e shtesës së lejes me çmimin e tregut të indeskuar dhe paratë do shkojnë në dispozicion të Agjencisë së Shpronësimeve. Opsioni i dytë është të dhurojë shtesat e katit dhe në këtë rast shkojnë në favor të entit të Banesave për të akomoduar entin social dhe nëse nuk zgjedh asnjë nga këto opsione do konfiskohet për interes publik. Nëse zgjedh opsionet para menjëherë fillon procedura e legalizimit dhe i gjithë objekti shkon për t’u legalizuar. Dhe shpëton nga ndjekja penale”, tha Çuçi.
Çuçi: Ky operacion do të ketë forcën e një vule përfundimtare
I shoqëruar, nga drejtuesja e re e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ministri i Brendshëm tha se aksioni do të shtrihet në të gjithë territorin. Sipas Çuçit, ky operacion është thellimi i një lufte që vazhdon prej vitesh me paligjshmërinë në ndërtim
.“Operacioni i konfiskimit të kateve e të metrave shtesë të ndërtuara në shkelje të ligjit e të lejes së ndërtimit, nuk është aspak kujtesë me vonesë siç thonë disa, po është thellim i një lufte që vazhdon prej vitesh me paligjshmërinë në ndërtim, e cila s’ka të krahasuar sot me përmasën e frikshme që kishte dje, kur s’kishte pallat që mos kishte shtesa e prapashtesa të bëra për qëllim fitimi.
Ky operacion do të ketë forcën e një vule përfundimtare mbi fatin e çdo metri katror të ndërtuar në shkelje të ligjit për shitje e fitime përtej kufirit të lejuar nga ligji. Por ky operacion duhet të jetë edhe një mësim i mirë qoftë për ata që kujtojnë shumë gabimisht se mund t’ia hedhin me ryshfete e me marifete, qoftë edhe për ata që përbaltin papushim emrin tim apo punën e qeverisë dhe bashkisë, duke më asociuar poshtërsisht me fitime imagjinare nga ndërtimet në Tiranë a kudo qoftë”, tha Çuçi.
Ky është pallati i dytë pa leje që po konfiskohet nga qeveria, dy ditë pas miratimit të VKM-së për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje. Zbatimi i operacionit nisi me ndërtesën 9-katëshe të biznesmenit, Julian Morina. Pallati 9-katësh, me 2 kate nën tokë dhe 7 të tjerë mbi tokë, ishte ndërtuar pa leje dhe për këtë arsye u sekuestrua nga qeveria. Vendimi i qeverisë nisi zbatimin nga Tirana dhe do të shtrihet në çdo qytet vetëm për ato ndërtesa që janë ndërtuar me qëllim fitimi, duke përjashtuar ndërtesat të cilat janë të paligjshme por qytetarët i kanë ngritur për veten e tyre për të strehuar familjet. Godina edhe mund të shembet vetëm në rastet kur IKMT vlerëson që nuk përmbush kriteret urbane apo të sigurisë së strukturës.
PL akuza qeverisë
Mirëpo Bibiluishi i Lëvizjes së Spiunve të Irrituar me pseudonimin P. i Lirisë ka reaguar dje pas deklaratave të bëra nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi mbrëmjen e së enjtes në një studio televizive. Me anë të një postimi në “Facebook”, ai shkruan se oferta e vetme e Edi Ramës është krimi dhe kërcënimi me gjobvënie, për ato që nuk i përulen dhe nuk paguajnë, si Salillari që dje çuditërisht ky lehsi i Metës e shikonte si oligark të Ramës, sot e shikon si viktimë. /Ekskluzive.al