“Foltorja” do t’i bashkohet forcës politike të drejtuar nga Ilir Meta në protestën e së martës para inceneratorit të Tiranës. Figurat kryesore të lëvizjes antiamerikane të Sali Berishës, kanë shpjeguar se do të jenë pjesë e çdo proteste kundër qeverisë, pavarësisht kush e organizon.
“Çdo ditë në çdo moment, çdo shqiptar duhet të ndihet në protestë, derisa ky regjim të largohet. Ky është misioni i opozitës”, deklaroi dje për mediat nga oborri i Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Flamur Noka. Ndërkohë edhe deputeti Edi Paloka konfirmoi dje pjesëmarrjen. “Ne kemi deklaruar që jo vetëm në protestat e organizuara nga opozita por në çdo protestë të qytetarëve ne do të jemi pjesë e saj”, deklaroi Paloka.
Por ashtu si në protestën e 7 korrikut, deputetët demokratë që nuk njohin Berishën si kryetar të Partisë Demokratike nuk do të bëhen pjesë e këtij tubimi. “Unë mendoj që skena e krimit është kryeministria aty ku është firmosur afera e inceneratorëve, ndërsa inceneratoret jane produkt I krimit, deklaroi deputeti Gazment Bardhi.
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj la të nënkuptohet se nuk do t’i bashkohet protestës së Metës. “Ajo se çfarë unë bëj është të jem deputet i shqiptarëve e të votoj kundër inceneratorëve”, deklaroi Alibeaj dje për mediat nga oborri i Kuvendit të Shqipërisë.