Komisioni i Disiplinës pranë FSHF bëri të ditura vendimet për javët e fundit të Kategorisë Superiore. Kamza ka qenë dhe klubi më i dëmtuar, ku është dënuar që të luajë 4 ndeshje pa praninë e spektatorëve. Ky dënim do të shlyhet sezonin e ardhshëm. Pas këtij vendimi klubi i Kamzës ka reaguar me një status në Facebook.
Reagim
Pasi u njohëm me ndëshkimin nga Komisioni i Disiplinës ku KF Kamza nuk do të ketë të pranishëm tifozët e saj për 4 ndeshjet e sezonit 2018-2019, duhet të reagojmë për të mbrojtur dinjitetin e skuadrës sonë.
Pasi jemi luftuar gjatë të gjithë kampionatit të sapo mbyllur nga skenare të turpshme dhe “korbat e zinjë” (arbitrat), të cilët pasi e panë të plagosur Kamzën, zbrisnin hera – herës në tokë për ta copëtuar, por nuk ia dolën, tashmë sulmi vazhdon nga e vetmja mundësi, Komisioni i Disiplinës, pasi gara mbaroi dhe Kamza, ia doli të mbijetojë.
Krahas kënaqësisë së punës sonë të palodhur, kënaqësia më e madhe ishin mesazhet e shumta të urimeve nga njerëz të ndryshëm, të cilët na uronin sepse arritëm të mposhtnim një sistem të kalbur.
Sulmet e turpshme ndaj skuadrës sonë vazhdonkan edhe për sezonin e ri, si për të na treguar që në start se nuk do ta kemi aspak të lehtë luftën me “korbat e zinj” dhe me “korbin e madh”. Ne kurrë nuk do të dorëzohemi, se ne jemi Kamza, e nuk pyesim për “Korba” e “Pula”.
Skenari i fundit nuk u doli, pasi në Teatrin e Korçës, nuk ka më aktor po futbollistë dhe drejtues. E nëse regjisë qendrore në Tiranë u kanë shpëtuar këto “filma”, UEFA nuk të fal…
U bashkuan të gjithë në Korçë dhe në vend të luanin futboll për të argëtuar tifozët e pranishëm, dhuruan një shfaqje te turpshme.
Gjithsesi, pasi nuk ia dolën në fushë , tashmë na kanë dënuar. Por nuk janë gjyqtarët apo instanca të tjera që na dënojnë për ndeshjen me Lacin, por një individ, sepse futbolli shqiptar është jo në dorë të drejtësisë, por në duart e individëve, atyre që nuk e kanë gjuhën për të folur të vërtetën, por për të shkëlqyer mëngjes për mengjës këpucët e “Korbit të madh”.