Po marr spunto nga artikulli i Edmond Harizajt, i cili me kurajo krahason gazetarinë e sotme investigative (shqiptare) me “thashetheme investigative”. Them “me kurajo” pasi të ashtuquajturit gazetarë investigativë janë transformuar tashmë në një lloj sekti inkuizitorësh të paprekshëm, të shndërruar edhe më arrogantë se politikanët, sepse, nëse politikanët kanë gazetarët që i ndjekin e vëzhgojnë, inkuizitorët-investigativë nuk kanë askënd.
Askush nuk guxon ti sfidojë, as SPAK që do të kishte edhe material për të hetuar ndonjërin prej tyre. Nëse dikush i prek, inkuizitorët reagojnë në kope, si hijenat në savanë, duke u turrur të gjithë bashkë ndaj kundërshtarit që guxon t’i verë në diskutim. Një kope që jo rrallë gjen mbështetje edhe tek politika.
Duke abuzuar me lirinë e shtypit (dhe në emër të saj), ky sekt “gazetarësh” hipnotizon opinionin publik me rrëfimet e tyre bombastike (në web dhe fatkeqësisht dhe nëpër televizione) gati gjithnjë të bazuara mbi hipoteza personale, informacione false dhe të paplota, paragjykime politike dhe, si me të drejtë shkruan Harizaj, mbi thashetheme. Të hipnotizuar mbeten shpesh edhe kolegë të rinj të këtyre inkuizitorëve, që, të lidhur e të paguar në të zezë pas kompjuterave të mijëra portaleve, ëndërrojnë që një ditë të bëhen influentë (dhe të pasur) si ata, dhe ndërkohë nuk hezitojnë të përkufizojnë çdo broçkullë të shpikur prej “investiguesve” si “bombë” që e shpërthejnë pa asnjë vetëdije nga faqet e tyre digjitale.
Lexuesit janë të ndarë në dy kategori të mëdha: një pjesë i beson dhe shpesh ripublikon në hapsirat e veta të social media të njëjtat broçkulla, duke kontribuuar në këtë mënyrë në ndotjen e përgjithshme të së vërtetës. Një pjesë tjetër (shumica) nuk i beson dhe i konsideron palaço, por fakti që zënë kaq shumë hapsirë në botën e mediave, e bën qeshark në sytë e tyre dhe pak të besueshëm gjithë sistemin e informacionit. Pra, këta inkuizitorë pa prova dhe dokumente, janë një nga faktorët e deligjitimimit të përgjithshëm nga i cili vuan prej vitesh gazetaria shqiptare.
Lista e broçkullave të nxjerra nga këta gazetarë “super të informuar” është e pafundë. Edmond Harizaj kishte mbetur i habitur nga ato që tregohen prej javësh rreth zhdukjes së Ervis Martinajt, nga i cili, dikush ka mundur të llogarisë saktësisht edhe vlerën e pasurisë personale pa mundur të tregojë as edhe një copë dokumenti të vetëm (as ndonjë verifikim bankar), ndërsa të tjerë përshkruanin ekzekutimin dhe kasaphanën, pa qenë sigurisht të pranishëm dhe pa patur provë ende që Ervis Martinaj është vrarë në të vërtetë. Kush si unë, që vëzhgon prej vitesh këtë fenomen katastrofik për besueshmërinë e profesionit tonë, shembuj do të kishte me mijëra të tjerë, duke nisur që nga seria e telefonatave fantazmë apo sms bombastike të referuara “vetëm” 5 vite me vonesë!
Natyrisht që gazetarë seriozë ka, edhe mes gazetarëve investigativë, por mundi i tyre për të verifikuar lajmet dhe për të dokumentuar faktet para se ti publikojnë, tretet dhe zhduket në detin e gënjeshtrave eksplozive që inkuizitorët lëshojnë përditë. Të shpikësh një lajm është më pak e lodhshme se ta verifikosh, dhe e vërteta nuk është kurrë aq eksituese dhe e ekzagjeruar sa një gënjeshtër e menduar mirë.
Por, a ekziston një antidotë kundër këtij helmi vdekjeprurës për informacionin? Sigurisht që po, por me kushtin që të përfshiheni të gjithë. Drejtuesit televizivë duhet të heqin dorë nga një ngritje audience dhe të shmangin të ftojnë këta bombardues-llafesh në emisionet e tyre me kushtin që çdo fakt i referuar të jetë i dokumentuar, ndërsa sa thuhet e padokumentuar të nënvizohet si opinion personal i paverifikuar.
I njëjti rregull duhet të vlejë edhe për portalet: deklarata e një gazetari nuk mund të jetë kurrë “një bombë” nëse nuk shoqërohet me një fakt që e dokumenton. Do të mjaftonte të mos ripublikoheshin opinionet fantazioze të gazetarëve investigativë pa dokumente, për të pastruar edhe webin (të paktën portalet e besueshme dhe profesionale) nga një det idiotësish. Por natyrisht, armën më të fortë nga të gjithë e kanë lexuesit, përfshi edhe ata të social mediave: do të mjaftonte të mos klikonin këta artikuj e të ndryshojnë kanal televiziv sa herë që këta rrëfyes historish janë protagonistë pa pasur asnjë provë në dorë. Ideali është t’u bëhet bllok dhe profileve të tyre në mediat sociale.
Vorbulla e gënjeshtrave ushqehet pikërisht nga suksesi që prodhojnë. Nëse secili prej nesh do të reshtte të kontribuonte “për kuriozitet” duke ushqyer këtë sistem pervers dizinformacioni, gazetarët e rremë investigativë do të shuheshin në vetminë dhe indiferencën që meritojnë.