Shqipëria komuniste kishte frikë për të qenë “de facto” pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), i cili drejtohej, siç pohohej pa mëdyshje, nga “qerrja amerikane e Avery Brundage”. Shqipëria kurrë për bukur 34 vjet, qysh nga viti i themelimit të KOKSH-it, deri më 1992, nuk do të mbante në këmbë strukturën e Komitetit Olimpik të saj.
Duke e lënë vendin e Vasil Konomit bosh përmbi një vit, më në fund në prill 1966, qeveria shqiptare cakton kryetar të atij që quhej Komiteti i Kulturës Fizike e Sporteve (KKFS) të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Dodën. Për të nënkuptuar paksa dhe stil olimpik, më 30 maj 1967, Rexhep Doda zgjidhet kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit të Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë (BFSSH).
Kjo ngjet në Konferencën e 2-të Kombëtare të BFSSH. Ky burrë zotni, modest, i pafjalë dhe një dashamir i madh i sporteve, ndonëse nën drejtimin e tij, sporti shqiptar pati një ngritje të pabesueshme për kohën, pati fatin që të mos përmendet asnjëherë si president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar! Siç kam shkruar me kohë, Doda është i vetmi kryetar i sporteve që nuk doli as edhe një ditë të vetme jashtë shtetit, por në kohën e tij veprimtaria ndërkombëtare sportive shqiptare njohu një pjesëmarrje të papame për kohën. Do të shkarkohet i fyer në tetor të vitit 1971, pa u lejuar për asnjë çast të vetëm të ndjehej president i KOKSH-it!…
Në prill 1972, Partia do të emërojë Veiz Lelon, kryetar të Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve (KKFS) në
Ministrinë e Arsimit e të Kulturës. Ai vinte nga Durrësi, drejtues në të ashtuquajturat organizata të masave. Pa dyshim kuadër partie, por universitar i Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Nuk kishte diçka të afërt me sportin, përveç moshës së re, 30-vjeçare, ndonëse vinte prej një qyteti tejet sportiv, Durrësi. Dhe, qysh nga prilli 1972, e deri te gushti 1972, që përbëjnë pesë muajt e parë të drejtimit të Lelos, pa ia thënë kurrnjiherë edhe atij emërtimin si president i KOKSH-it, janë vërtet ndër më interesantët.
Papritmas kishte ndodhur që vetëm pak më parë, peshëngritësi 27-vjeçar i 17 Nëntorit të Tiranës (sot SK Tirana), Ymer Pampuri, me 125 kg në stilin e forcës, ishte shpallë Nënkampion i Evropës në Konstanca të Rumanisë, zhvilluar më 13-21 maj 1972. Dhe, më 11 gusht 1972, në një ceremoni zyrtare dhe publike, atij do t’i jepej titulli më i lartë sportiv në Shqipëri, “Mjeshtër i Merituar i Sporteve”, ditë kur qarqet zyrtare sportive të Shqipërisë deklaronin se kjo e fundit do të merrte pjesë në Olimpiadë me të dhe me një grup qitësish.
Do të mbërrinim kështu te 22 gushti 1972, kur Agjencia Telegrafike Shqiptare e lajmeve do të njoftonte se, më 21 gusht 1972, “u nis për në Mynih grupi i sportistëve tanë, i cili do të marrë pjesë në Lojërat e 20-ta Olimpike. Sportistët tonë do të konkurrojnë në garat e qitjes dhe të ngritjes së peshave”. Ndërsa shtypi, në një ekstazë “socialiste”: “Shqipëria, atdheu ynë i dashur do të përfaqësohet për të parën herë në Olimpiadën XX”.
Shqipëria, e cila kishte rënë prej vitesh në prehrin e Kinës Popullore, ndërsa ishte partizania më e fuqishme në Evropë e atij që quhej “socializmi real”, papritmas kishte shpalosur një grimcë liberalizëm. Një liberalizëm i tipit që “shih në TV RAI-n, zgjati paksa favoritet ti djalosh i ri, preji fustanet pak më të shkurtra ti vajzë e re, fol disi më lirshëm, natyrisht asnjë kritikë për Regjimin, ndiq Kampionatin e Italisë në TV, si dhe Festivalin e San Remo-s apo ‘Rischia tutto’ të Mike Bongiorno-s dhe, nëse vjen RFGJ-ja e Beckenbauerit në Shqipëri, kundroji pa iu afruar fort lojtarëve të Gjermanisë pak metra larg Hotel Dajtit…”. Vetëm kaq.
Viti 1972 ka qenë një vit i çuditshëm shqiptar, papritmas paksa i hapur, me RAI-n po të hapur që zbriste nga mali i Dajtit e hynte në ekranet e televizorëve tanë bardhezi, ende të rrallë. Si dhe me një TVSH që papritmas do të transmetonte gati 10 orë në ditë Lojërat Olimpike të Mynihut me në krye nxitësin e pandalshëm, gazetarin Skifter Këlliçi, nën redaktimin e Vladimir Grillos, natyrisht nga studioja e Tiranës.
Për herë të parë në historinë e gazetarisë shqiptare, Këlliçi do të aktivizonte në rolin e komentatorit specialistë të shquar të sporteve tona. Edhe autorit të këtyre radhëve, si gazetar i së përditshmes “Bashkimi”, si asnjëherë tjetër iu lejua vend i dukshëm në shkrime po të përditshme për Olimpiadën. Ishte viti i të famshmit Festivali i 11-të, por që menjëherë mbas tij do ta mbyllte edhe më fort Shqipërinë.
Kurrë në historinë e një vendi muzika nuk do të tregohej kaq e pamëshirshme, siç do të ndodhte vetëm mbas pak muajve të atij viti fatal… Lojërat e Mynihut hapen më 26 gusht 1972. Shqipëria është e pesta në parakalimin ceremonial të “Olympiastadion” të Mynihut mbas Greqisë, Egjiptit, Etiopisë dhe Afganistanit, duke pasur flamurtare qitësen Afërdita Tusha, çka do të thotë se flamurtarja e parë olimpike e Shqipërisë është një femër.
Shqipëria shkon në Olimpiadë me një ekip të përbërë nga këta gjashtë sportistë, emrat e të cilëve kanë mbetur në histori si shqiptarët e parë që garuan në një edicion të Lojërave Olimpike: ishin qitësit Ismail Rama, Afërdita Tusha, Beqir Kosova, Fatos Pilkati dhe peshëngritësi Ymer Pampuri, si dhe trajnerët Zyhdi Mazreku (peshëngritje) dhe Ali Mata (qitje). Kjo ishte Shqipëria në Olimpiadën e Mynihut, në pjesëmarrjen e saj të parë të drejtpërdrejtë në veprimtaritë sportive, sepse me delegacione kishte qenë në Berlin më 1936 dhe në Romë më 1960.
Por, nëse në të dy këto raste kishte shkuar me ministrin e Arsimit, Dr. Nush Bushati (1936) dhe me presidentin e KOKSH-it, Vasil Konomi (1960), kësaj radhe ekipi shqiptar prej shtatë vetash kryesohej nga një drejtor ushtarak i Ministrisë së Arësimit dhe të Kulturës, e natyrisht edhe nga “shoqëruesi” i pamungueshëm i Sigurimit të Shtetit, emrat e të cilëve nuk u përmendën askund.
Eshtë vërtet e jashtëzakonshme që ndërsa Shqipëria garonte për herë të parë në histori në Lojërat Olimpike, kryetari i BFSSH, Veiz Lelo, ai që duhej të ishte presidenti i KOKSH- it, nuk do të ndodhej në Munih, Partia i jep rrugën e një vizite zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, e cila për shkak të Tajvanit nuk merrte pjesë në Olimpiadë! Mjafton kjo sfidë shqiptare për të kuptuar se për Vendin e Shqiponjave, olimpizmi ishte një askurrgjë!
Në Mynih Partia synonte tejet sidomos me qitjen, dhe qitja shqiptare bën këtë paraqitje:
Karabinë e vogël tri pozicione (precizion 1×60):
* Ismail Rama i 22-ti me 594 pikë
* Beqir Kosova i 66-ti me 587 pikë
Ishin plot 101 pjesëmarrës.
Pistoletë standard:
* Fatos Pilkati i 24-ti me 546 pikë
* Afërdita Tusha e 51-ta me 522 pikë Ishin 64 pjesëmarrës, ndërkohë që në këtë garë konkurronin së bashku meshkujt dhe femrat!
Ndërkaq, u tha se krerët e lartë të regjimit patën një zhgënjim nga ky përfaqësim i qitësve, sepse këtë sport PPSH prej kohësh përpiqej ta reklamonte si sportin bazë me nënkuptimin “plumba të gatshëm për çdo armik”. Ndonëse duke i parë rezultatet, ato janë krejt normale, madje shifrat dhe renditja e Ismail Ramës dhe Fatos Pilkatit ishin dinjitoze. Sensacioni shqiptar qe lënë të shpalosej prej Ymer Pampurit në peshëngritje… /Nga Besnik Dizdari