Një shqiptar, i cili jeton prej 10 vitesh në Britaninë e Madhe, i është kërkuar të largohet nga vendi ishullor pasi është kapur duke punuar në të zezë në një restorant. Megjithëse shqiptari ka qenë krejt i rregullt dhe pa asnjë precedent penal në Britani, atij i është kërkuar të largohet.
Emigranti shqiptar identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur ka ndërtuar edhe familjen e tij në shtetin anglez, duke i lindur edhe dy fëmijët në këtë vend, por duket se qeveria britanike nuk e ka marrë parasysh këtë fakt. Ai u dërgua në qendrën e largimit të imigracionit në Harmondsworth, pranë aeroportit Heathrow.
“Është sikur më kanë vendosur shkelmin në fyt dhe po më mbytin. Erdhën për të kontrolluar restorantin ku unë punoj, më shumë se 10 prej tyre, të gjithë me uniforma. Ata thanë se kishin informacione se aty ndodheshin punonjës në të zezë dhe filluan të pyesnin njerëzit për mua. Ata nuk më dhanë asnjë shpjegim, vetëm më çuan në stacionin e policisë, më mbajtën atje dhe më pas në qendrën e imigracionit. Po më trajtojnë si kafshë”, është shprehur shqiptari për The Guardian.
Burri, i cili po mbahet me akuzën se i janë shteruar të drejtat e tij për apelim, thotë se ai ka të drejtë pasi ka ndërtuar familjen në Britani dhe fëmijët i kanë lindur aty dhe kanë leje për të qëndruar. Ai beson se qeveria britanike po godet me pa të drejtë shqiptarët.
“I gjithë ky vend [Harmondsworth] është plot me shqiptarë. Duket sikur po na rrethojnë për të na futur larguar që këtu. Djali me të cilin po ndaj qelinë, është po ashtu shqiptar. Për mua kjo është hakmarrje ndaj nesh. Duket se qeveria po gjen boshllëqe ligjore për të na deportuar. Të gjithë janë kaq të shqetësuar dhe të frikësuar – sa nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me ne”, shprehet ai.
Të enjten, Ministria e Brendshme bëri të ditur se kishte arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare për të deportuar shqiptarët të cilëve iu është refuzuar azili.