Policia e Tiranës ka marrë një sërë masash, pavarësisht se opozita me në krye Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim në kërkesën e saj nuk e ka specifikuar se kur do të mbyllet protesta e thirrur nesër në orën 11:00 përpara Kryeministrisë.
Burime nga radhët e uniformave Blu thanë se pritet të angazhohen forcat e rendit, Forcat Shqiponja dhe Renea për këtë protestë, por numri i efektivëve që do angazhohen do përcaktohet ditën e sotme.
Po ashtu, të angazhuar do jenë FNSH, dhe ato operacionale. Gjithashtu, në terren do të ketë edhe agjentë civil dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Synimi është shmangia e incidenteve dhe një tentativë e mundshme e protestuesve për të sulmuar institucionet, pavarësisht se organizatorët e kësaj proteste kanë mohuar ekzistencën e skenarëve të dhunës.
Ndërkohë që mësohet se mbrëmjen e sotme Policia e Tiranës do të kalojë në gatishmëri për protestën e Partisë Demokratike. Gjithashtu, mësohet se vëmendje të madhe do ketë edhe kontrolli fizik i personave të dyshimtë për armë apo sende të paligjshme në akset kryesore të Tiranës.
Po ashtu, do merren masa edhe për sigurimin e institucioneve përgjatë Bulevardit. Sakaq, mësohet se Policia ka kërkuar informacion dhe nga drejtoritë e qarqeve për personat me precedentë penalë