Nga Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti
Këngët e Zhulianës janë të përshtatshme për të gjitha stinët, kohët, ndjenjat dhe moshat pasi ajo ka shkruar këngë gjithë jetën e saj.
Nëse do të isha producent ose ndoshta drejtor artistik në televizion, do të krijoja një video me disa fragmente prej këngëve të saj më të njohura, për ta përshëndetur, pasi na ka dhuruar këngë dashurie (S’ish takimi i parë, jo/ Por as i fundit/Buzët thanë: “Më fal ti/Qerpiku një lot shkundi) këngë të trishta: (Se lodër s’është kjo jeta ime/Prandaj lehtë/ Nuk ua dhuroj/Ndonëse dhimbja po me mbyt/Do te di unë ta jetoj), këngë sociale (Thuam kush të çoi në dëshpërim/Ty o ëngjëll krahë këputur në udhetim/Dil nga ky terr ku je verbuar), këngë për eksodin (Ajo dinte si duronte/Po i shkuleshin filizat/ Deti u be mal me njerëz/E toka det me lot) këngë për demokracinë (E duam jetën ndaj na lini të jetojmë/O mik, o vëlla pak qetësi për shpirtin tonë/E shtrenjta ime ti këtë mbrëmje mos mungo/I kam harruar përkëdheljet mos harro) këngë për nënën (Në çdo rrudhën tënde/në çdo flok’ të bardh’/Unë shoh fëmijërin’, hapin tim të par’), për babën, për motrën, për vëllanë, për gjyshin, për punën, për mësuesin etj.
Bëhet fjalë për qindra këngë, me dhjetëra kompozitorë shqiptarë, me këngëtarë të panumërt, rreth pesëqind këngë hite, ndoshta edhe më shumë – këto janë ato që unë arrita të seleksionoj në arkivat e Radios- me siguri do të ketë edhe shumë të tjera që unë ose nuk i di ose janë të mbyllura në për bobina të ndryshme.
Ajo rriti breza të tërë shqiptarësh me mendimet e saj të hedhura mbi një copë letër. Rriti breza të tërë që edhe sot i dëgjojnë këngët e saj sikur të ishte hera e parë e tyre.
Gjurmët e poezisë të saj u ngulitën brenda nesh, herë të gdhendura dhe herë “të gozhduara”. Padyshim, ajo ndryshoi rrugëtimin e këngës shqiptare në kohërat pa ngjyrë. Përmes penës të saj të guximshme, na dhuroi këngë herë të mprehta dhe herë shëruese, arriti të zbukurojë censurën socialiste, të komunikojë privatësinë, të kapet nga e pakapshmja e asaj kohe.
Luftoi armikun e brendshëm, pa i fshehur apo mbuluar plagët e saj. Ajo i la të ekspozuara dhe të prekshme për të dëshmuar të vërtetën e saj. Një bashkim kimik, një fenomen kohor, një mister fetar në tryezën e shenjtë të gjuhës sonë, ajo ofroi trupin dhe gjakun e fjalëve për të marrë jetë çdo notë nga pentagramet më të arta të korifenjve duke folur për mungesën dhe humbjen, dashuritë dhe disfatat, kujtimet dhe gëzimet, ankesat shpirtërore dhe jetën e Shqipërisë së viteve dikur.
Mësuesja e adoleshencës sime, atëherë kur moshatarët nuk kuptonin çka shkruante, unë dridhesha me çdo fjalë që shkruante. Mbylla sytë një ditë dhe vendosa të bëhem si ajo. Ndoshta ishte era e lapsit e ngatërruar me disa këngë të saja që formonin aq me vend në shpirtrat e njerëzve ngushëllimin e një jetë të bllokuar për vite me radhë. Mora një copë letër dhe shkrova emrin e saj, e fsheva në dosjen e parë të zemrës sime. Që atëherë ndodhet aty dhe rritet me mua.
Gjithsesi, ajo u përket atyre artistëve që e bënë jetën time më të mirë por dhe jetën tuaj, në shumë çaste. Sidomos kur jeta jonë ishte e vështirë, e pangjyrë dhe kishte nevojë për shoqërim muzikor-këndues. Ia kemi borxh një përqafim dhe sa do herë ta falenderojmë nuk do mjaftojë…/Na Ishte Dikur