Kryeministri Edi Rama ka bërë një koment të gjatë, duke iu përgjigjur të gjithë kritikëve për kampionen shqiptare të Europës, Luiza Gega. Qeveria dhe kryeministri u kritikuan për shfaqjen e tyre pasi Gega u shpall kampione, ndërkohë që për të ka munguar më herët mbështetja.
Lidhur me këtë, Rama shprehet se mexhelisi politik e mediatik shqiptar është kthyer në një “çmendinë”, që përditë çmend dynjanë.“Në një botë ku faktet janë gjithnjë e më të shpërfillura dhe mllefet e inatet gjithnjë e më shumë alternativë e fakteve, mexhelisi politik e mediatik shqiptar është kthyer në një “çmendinë”, që përditë çmend dynjanë!
Kjo s’është diçka e re dhe s’do t’i shkruaja këto rreshta, sikur të mos isha mahnitur nga çmenduria që plasi sheshit bashkë me triumfin historik të Luiza Gegës.
Shenjat e para të çmendurisë u panë qysh në fillim, kur nisën edhe zërat që uronin Luizën për të sharë qeverinë. Qeveria e poshtër e kishte braktisur e syrgjynosur deri në Afrikë, vajzën e shkretë të jetimores së sportit shqiptar”, tha ai. Rama deklaroi se Gega është mbështetur nga bashkia e Tiranës.
Ai deklaroi se kampionët e urrejtjes profesionale që ushqejnë mllefin dhe yshtin inatin anonim të rrjeteve sociale, u lëshuan me tërbim në ekrane e portale.“Në fakt Luiza është mbështetur nga kryebashkiaku i Tiranës, për t’u stërvitur në lartësinë mbi 3 mijë metra të Kenias, ku stimulohet rritja e rruazave të gjakut.
Por shpërthimi çmendurak mori dhenë, kur kampionia e re e Europës u prit në kryeministri, për t’u nderuar siç i takonte pas një triumfi të paparë në historinë e sportit shqiptar. Kampionët e urrejtjes profesionale, modele të mbrapshta publike, që ushqejnë mllefin dhe yshtin inatin anonim të rrjeteve sociale, u lëshuan me tërbim në ekrane e portale, duke e komentuar ngjarjen si pengmarrje të Luizës për propagandë apo deri si shitje të shpirtit të saj tek regjimi”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.