Gazeta kontrolloi edhe një herë faturat që LSI-së e drejtuar nga z.Ilir Meta dhe faktikisht ka bërë pagesa në vlerë 267,804,00 dollarë për periudhën janar 2016 deri me 31 Janar 2017 për GSIS.
Ndërsa për kompaninë e lobimit “McKeon Group” ka dhënë 15 mijë dollarë, pasi kontrata me McKeon është ndërprerë më 13 Shkurt, pasi kishte “përmbushur” misionin pranë administratës amerikane. Këtë kontratë e ka firmosur një avokat me emrin Iraklis Fidetzis. Ndërkohë LSI ka pasur vështirësi t’i raportojë të gjitha shpenzimet e kryera për lobim në raportin vjetor financiar të administruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ për vitin 2016.
Prokuroria nuk ka hapur hetim për këto shkrime, edhe pse këto të dhëna kontradiktore në deklarime kanë qenë publike. Më parë, në vitin 2009 z. Meta kishte lidhur kontratë lobimi me një tjetër kompani amerikane, “DUTKO Worldwide” për një shifër 30 mijë dollarësh në muaj për periudhën nga 1 marsi deri në 30 qershor të atij viti, pra 120 mijë dollarë.
Ndërsa në 2010, LSI u lidh në marrëveshje me një kompani lobimi të quajtur “Blue Star Strategies”, për 22,500 dollarë në muaj, nga 1 marsi deri në 31 gusht, pra 135 mijë dollarë. Lobimi është një formë demokratike përfaqësimi të interesave por duhet të ketë më shumë transparencë dhe vigjilencë, në mënyrë që lobingu të bëhet për të mirën publike dhe jo për përfitime dhe përqendrim të pushtetit ekonomik dhe politik.