Deputetët e grupimit të ish-liderit të Partisë Demokratike Lulzim Basha kanë zbritur në bazë dhe në fillim të muajit shtator pritet një organizim i madh brenda Partisë Demokratike. Sinjalet nga PD dhe PS, janë se në vjeshtë fokusi i Parlamentit do të jetë pikërisht te ndarja e politikës nga e shkuara komuniste dhe PS do të gjejë mbështetje tek PD. Dy më të rrezikuarit janë Ilir Meta dhe Berisha, që me ligjet e reja që po përgatit PS edhe PD, pritet që të përjashtohen të dy nga politika.
Njëri për “Non Grata”, e tjetri për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit. PS mund të propozojë, që në shtator ndryshime në ligjin e Dekriminalizimit, ku veç personave të dënuar të përfshihen edhe ata të shpallur non grata nga SHBA. Ky parashikim do të largonte nga Kuvendi automatikisht Sali Berishën dhe Alibeaj është aty për të bashkuar votat.
Mesazhi për Metën
PD po fillon strukturimin dhe kreu i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj. Në reagimet e tij të fundit ai ka sulmuar Ilir Metën dhe partinë e tij. Sinjalet se PD zyrtare mbështet ndarjen nga e shkuara komuniste i dha vetë Alibeaj. “Musine Kokalari, kjo kundërshtare e regjimit komunist u dënua me 20 vjet burg, më pas u internua për 22 vite të tjerë në Rrëshen, ku u la të vdiste pa ndihmë në vitin 1983.
“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë s´jam fajtore. S´jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj”. Mesa duket, për të kuptuar të sotmen, duhet kujtuar e djeshmja, që e keqja të mos jetojë të nesërmen”, shkruan Alibeaj. Pra PD po kërkon ndarjen nga e shkuara, ku Meta dhe Berisha janë në “target”.
Takimet e PD në bazë
Alibeaj ka zhvilluar një takim në Lezhë me mbështes të PD-së sa i takon reformës administrativo-territoriale. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Alibeaj theksoi se Lezha ka nevojë për rikonceptim të territoreve dhe jo vetëm. Po ashtu ai theksoi nevojën që të kthehet pushteti lokal të qytetari. Në rrjetin social, Alibeaj shkruan se reforma territoriale e njëanshme e shumicës PS-LSI, ka dështuar plotësisht dhe bashkitë kanë falimentuar.
“Në Lezhë për Reformën administrativo-territoriale me qytetarët dhe grupet e interesit. Si në çdo takim tjetër, edhe këtu u pohua me shqetësim se reforma territoriale e njëanshme e shumicës PS-LSI, ka dështuar plotësisht dhe bashkitë kanë falimentuar. Ajo duhet të sigurojë autonominë nga pushteti qendror dhe vetëqeverisjen vendore, të mbrojë kompetencat vendore nga pushteti qendror, në mënyrë që pushteti vendor të jetë realisht afër qytetarëve dhe në shërbim të tyre.
Lezha, si çdo qark tjetër, ka nevojë akute për reformë të thellë gjithëpërfshirëse dhe të vërtetë. Theksi u vu decentralizimi i pushtetit të kryetarit të bashkisë, por mbi të gjitha tek domosdoshmëria e decentralizimit fiskal dhe aftësimi financiar i bashkive, që në projektin e PD duhet të jenë parësore. Ne jemi të vendosur për një reformë të thellë e të vërtetë, për të kthyer pushtetin lokal tek qytetari dhe në shërbim të tij, që në çdo qark të ketë demokraci funksionale”, tha ai.
Prej disa kohësh Alibeaj nuk është shfaqur në takime apo publik, por gjërat pritet të ndryshojnë shumë shpeht, pasi ai pret edhe vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me atë se kush do të drejtojë Partinë Demokratike, Sali Berisha i zgjedhur nga anëtarësia e PD apo Alibeaj i caktuar nga Gazment Bardhi.
Pampuri: Jo poste publike për personat e ish- sigurimit të shtetit
Gjithashtu sinjalet se priten zhvillime të bujshme në shtator për politikanët e lidhur me komunizmin i paralajmëroi dhe deputetja e PD, Oriola Pampuri. Në një intervistë televizive deklaroi se shoqëria shqiptare ka nevojë për dekomunistizim dhe lustracion për të shpëtuar nga tranziocioni 30- vjeçar. Deputetja veçon se është e papranueshme shfaqja e simbolikave të diktaturës në aktivitete të caktuara apo që ish bashkëpunëtorë të sigurimit vijojnë të qëndrojnë në skenën politike duke iu referuar ish-presidentit Ilir Meta që pak kohë më parë doli lajmi se ka qenë spiun i ish-sigurimit.
“Ky është qëllimi ynë. Ndalimi me ligji përdorimit të të gjitha simboleve të asaj periudhe dhe çka është shumë e rëndësishme është lustracioni, mos lejimi i pjesëmarrjes në poste publike i të gjithë personave që kanë qenë pjesë e ish sigurimit të shtetit. Kjo do i jepte fund tranzicionit 30-vjeçar. Kemi 30 vite që flasim për diktaturë. Deklasifikojmë dosjet, lustracioni është shumë i rëndësishëm për të nisur një epokë të re. Ka ardhur koha që një brez të di se çfarë ka qenë ajo periudhë.
Të përfshihet tmerri diktaturës në kurikulat e shkollës dhe këto personazhe që kanë pjesë e diktaturës së shtetit të mos jenë më pjesë e funksioneve publike”, tha Pampuri. Pampuri theksoi se vetëm kështu do ti jepen fund dhe debateve në kuvendin e Shqipërisë me ish- spiunë.
“Sot në gjermani personazhe që kanë qenë pjesë e atij regjimi s’mundet të jenë pjesë e sistemit… Kjo duhej bërë edhe në Shqipëri, duhet të ishin dënuar po larguar nga sistemi. Kjo nuk është bërë gjatë 30-viteve. Nëse gjërat do kishin ecur në atë prizëm që duhet, s’duhet të kishim debate që me spiunë, duke akuzuar njëri tjetrin për spiunë”, tha Pampuri.