“Të huajt mund të gjejnë detin, malin dhe historinë”
Plazh, mal, qytete antike dhe çmime të ulëta? Shqipëria i ka të gjitha. Kështu e nis shkrimin e saj prestigjiozja britanike “The Guardian” në një artikull kushtuar turizmit dhe natyrës shqiptare.
“Pavarësisht nga e kaluara e errët e shekullit të 20-të, vendi tani është një parajsë e udhëtarëve me peizazhe të mahnitshme, bregdet dhe qytete historike”, shkruan The Guardian.
Gazeta britanike ndalet tek plazhet e Shqipërisë, qyteteve të njohura nga UNESCO-s dhe rrugëve të ecjes malore.
“Dikur vend komunist, sot po lavdërohet si një destinacion “i ri i nxehtë” evropian i udhëtimit për turizëm”, nënvizon gazeta.
Sipas saj turistët nisën të rriteshin nga viti në vit. E ndërsa në vitin 2009, 1.9 milionë turistë udhëtuan drejt Shqipërisë; në vitin 2019, viti i fundit i plotë para Covid-it, shifra ishte plot 6.4 milionë, shkruhet në artikull.
Ndër të tjera, si pjesë e Shqipërisë përmendet edhe gastronomia. Ushqimet tradicionale me çmime të ulëta. Nuk lihen pa vlerësuar ujërat e pastra të Dhërmiut, dhe ato të virgjëra të Gjipesë.
Qytet historike të vogla si Gjirokastra apo Berati janë dy prej vendeve që kanë tërhequr vëmendjen e turistëve.
Artikulli vjen vetëm një ditë pas jehonës që pati në mediat britanike rasti i 7-vjeçares e cila humbi jetën në Potam, ku gazetarët tërhiqnin vëmendjen se në disa prej plazheve shqiptare mungonte siguria.