Turizmi në jug të Shqipërisë më shumë se sa nga çmimet e kripura është i rrezikuar nga sjellja e dhunshme e pronarëve të restorante dhe lokaleve që operojnë në zonë.
Dy ditë më parë një pronar restoranti ndoqi me thikë në dorë në mes të rrugës klientin, i cili ishte larguar pa paguar për shkak se nuk i ishin dukur normale dhe të logjikshme çmimet e ushqimeve që kishte konsumuar.
Ndërkohë që ditën e sotme, një tjetër qytetar ka treguar një histori aspak të këndshme që i ka ndodhur në Orikum.
Fatmir Gjoni ka ndarë në Facebook historinë e tij aspak të këndshme ndërsa ka shkuar të drekojë në një restorante në Orikum.
Gjoni tregon se për të respektuar një mikun e tij nga Italia e kishte ftuar për drekë në një restorant të mirë peshku në Oriku7m, dhe sapo kanë arritur atje, ka parkuar makinën buzë rruge.
Por sapo ka dalë nga mjeti dikush i është afruar dhe i ka thënë që të largojë mjetin, edhe pse aty nuk kishte asnjë tabelë që parkimi ishte privat, për më tepër kur makina ishte parkuar në mes të rrugës, që është pronë publike.
Ai sqaron se pasi ka debatuar për disa sekonda me “pronarin” e rrugës është larguar në drejtim të Restorantit sëbashku me mikun e tij, por kur është kthyer është përballur me një surprizë aspak të këndshme.
Makinës së tij i kishin shpuar gomat. Fatmiri sqaron se si njohës i mirë i zonës e ka zgjidhur privatisht rastin, por më pas ka lajmëruar edhe policinë, që asnjë turist tjetër mos përballet më me situata kaq të turpshme.