Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano u ka dërguar mesazh kritik ndaj drejtuesve të strukturave policore në vend, pas ngjarjes së rëndë të Himarës javën e kaluar, ku ndërroi jetë 7-vjeçarja Jonada Avdia pas u godit me skaf nga ish-punonjësi i rendit Arjan Tase dhe mesazheve shqetësuese të qytetarëve për mungesë profesionalizmi, etike, shkelje të rregullores, abuzimeve, etj., nga radhët e forcave të rendit e sigurisë.
Nano ka publikuar disa nga ankesat nga më të rëndat të qytetarëve, ku skandaloze mbetet sjellja abuzive me qytetarët e thjeshtë dhe tolerimi i personave të inkriminuar. “Kam ndjekur me vëmendje shumicën e reagimeve të qytetarëve në rrjetet sociale. Qytetarët më së shumti ankohen për sjelljen e punonjësve të Policisë, më shumë për Rrugoren, patrullat, ‘Shqiponjat’, policinë kufitare e atë kriminale.
Punonjës policie që sillen arrogantë me qytetarët, që nuk zbatojnë ligjin por shikojnë interesin e xhepit të tyre, duke abuzuar rëndë me detyrën dhe rrjedhimisht do kemi këtë perceptim qytetar. Punonjës policie që nuk njohim humanizmin fare po fare, që nuk tolerojnë (brenda ligjit) qytetarët e ndershëm, por tolerojnë horrat e trafikantët”, shkruhet në mesazhin drejtuar strukturave policore.
Nano paraqiti dhe shqetësimet e qytetarëve mbi veprimtarinë ligjzbatuese të efektivëve të rinj të policisë, të cilët sulmohen për mungesë etike komunikimi dhe abuzimi me detyrën. “ ‘Sigurisht një pjese e mirë e policëve të vjetër duhen hequr fare se janë të korruptuar, ama me këta të rinjtë punoni me edukimin e tyre. Kanë problemë te pafundme me komunikimin me qytetaret, inferiore ne komunikimin edukativo njerëzor’.
Shumë i dhimbshëm për Policinë ky mesazh. ‘Mjafton të kesh një dokument policie e bën ç’të duash në këtë vend’”, shkruan më tej drejtori i policisë. Në fund të mesazhit, drejtuesi më i lartë i policisë shqiptarë, u kërkoi strukturave policore të marrin masa urgjente për hetimin e rasteve abuzive të forcave të rendit dhe ndëshkimin e tyre.
“Të merren masa të menjëhershme nga departamentet përkatëse e mos raportoni pa i lexuar ‘dakord, dakord’, por, të reflektoni urgjent përballë këtij realiteti të skanuar nga syri qytetar”, mbyllet mesazhi i Gledis Nanos.