Nga Desara Çela
Vapë, marrim rrugën për në plazh. Presim biletën për të hipur në tram dhe presim deri sa të vijë. Do dhe 3 minuta. Pasi vjen hipim (të lumtur sepse jashtë vendit tonë na bie rasti të hipim në transportin publik, tram, tren, metro).
Nuk ka shumë njerëz, aty qëndrojnë më këmbë një grup adoleshentësh me çanta pas shpine, edhe ato po shkojnë në plazh si ne.
Na erdhi stacioni për të zbritur, kalojmë shinat dalim në det.
Nuk ka zhezlone, nuk ka luks, nuk ka rezorte me 5 yje në vijën bregdetare, nuk ka muzikë që të shurdhon veshët.
Nuk ka motorë uji që të shqetësojnë pushuesit.
Nuk kanë turp që e kanë marrë bukën me vete nga shtëpia për ta ngrënë dhe kolën e birrën për ta pirë buzë detit të kristaltë.
…ka vetëm disa çadra të vendosura nga bashkia ku mund të qëndrojnë pushuesit pa paguar gjë. Ke vend për të vendosur edhe çadrën tënde sepse plazhi është publik.
Ato që nuk kanë marrë çadër (si ne në këtë rast) mund të qëndrojnë në diell, ose të gjejnë një hije diku deri sa të lirohet një çadër.
Uji është i thellë sapo futesh, ka fëmijë të vegjël që lahen në ujë e që prindërit po rrijnë shtrirë, këto nuk kanë frikë se fëmija mund ti mbytet sepse aty janë dy roje bregdetare, njëri mbi kabinë e tjetri poshtë në gatishmëri për çdo të papritur.
Nuk kanë frikë se mund ti vijë një motor uji dhe mund ti vrasë fëmijën sepse këto nuk lejohen.
Këtu e hedh poshtë petkun e arrogancës, inferioritetin, shtirjen për jetën e luksit…
Kjo gjë mungon në Shqipërinë time, për t’u ndjerë i lirë vetëm me një çantë krahu me dy peshqirë, dy tostë (për drekën) dy bileta trami (1.5€) për të kaluar një ditë në paqe me veten!