Ditën e shtunë opozita e bashkuar ka paralajmëruar një protestë në Bulevardin ‘’Dëshmorët e Kombit’’. Protesta do të nisë në orën 11:00 dhe Partia Demokratike ka dorëzuar kërkesën në polici për marrjen e lejes, por ajo që vlen të theksohet është fakti se kjo protestë fsheh brenda shumë mister.
Në kërkesën drejtuar policisë është zbuluar vetëm orari i nisjes, pasi Partia demokratike kërkon që kjo protestë të jetë pa limit kohor.
Nga ana tjetër Policia e Shtetit do të vihet që ditën e nesërme në gatishmëri të plotë për të patur nën kontroll rendin dhe sigurinë publike për qytetarët.
Kjo protestë vjen për shkak të audio-përgjimit të vëllait të Fatmir Xhafajt, i cili akuzohet nga opozita si i përfshirë në trafikun e kokainës. Opozita ka bërë publike edhe dëshminë e ‘’Dëshmitarit X’’ i cili herë identifikohet si Albert Veliu dhe herë si Arben Veliu.
Gjatë debateve në Komisionin e Ligjeve, opozita ka paralajmëruar të tjera video-përgjime në lidhje me këtë çështje.