Nga Altin Ketro
Nuk mund të mungonte prej Lulzim Bashës edhe fundi i skenarit të kuruar me kujdes prej tij, që nisi me audio-përgjimin e bashkëpunëtorit “X”, vijoi me dëshminë e dëshmitarit “X” dhe përfundoi me të ashtuquajturin joshje e kërcënim të bashkë-dëshmitarëve “X”.
Në një dalje të orëve të vona të natës, si për t’i dhënë sa më shumë dramaticitet situatës, Lulzim Basha u rrek të bindte opinionin publik se ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, së bashku me të vëllanë Agron që e ndihmon prej burgu në Itali, kanë nisur operacionin “Joshje & Kërcënim”, për të gjithë personazhet që u përfshinë në audio e video përgjimet që Lulzim Basha i transmetoi nga selia e tij.
Kryetari i demokratëve, i cili javët e fundit ka hequr kostumin civil dhe ka veshur veladonin e akuzatorit, lexonte me një tonalitet që do t’ia kishte zili edhe vetë Aranit Çela, se si grupi i strukturuar kriminal “Fatmir e Agron Xhafaj”, kanë gjetur disa killera nga Vlora e Fushë Kruja, të cilët, hëm duan t’i paguajnë Albertin e Jetmirin me 200 mijë euro për të tërhequr dëshmitë e tyre, hëm i kërcënojnë me ekzekutim me vdekje.
Por, sipas krye-demokratit Basha, si joshja, ashtu edhe kërcënimi, nuk u bëhet direkt këtyre dy personazheve, por indirekt nëpërmjet të afërmve të tyre.
Të habit fakti që Lulzim Basha i njeh këto dy grupe kriminale të segmentit Vlorë-Fushë Krujë, por rezervohet t’i denoncojë me emër e mbiemër. Kështu misteri bëhet më interesant. Edhe të afërmit që ia kanë thënë këtë gjë Lulzim Bashës mbeten po anonimë. Për Lulzim Bashën nuk ka rëndësi se kush u josh e cili u kërcënua. Këto për të janë gjëra dytësore. Ai rëndësi i jep fenomenit. Por, që ta luftosh fenomenin, duhet pikë së pari të dish se cilët janë individët e përfshirë, përndryshe hedhim ujë kot në hava.
Duke njohur stilin e komunikimit të Lulzim Bashës, kjo akuzë e re e tij në drejtim të familjes Xhafaj është e njëjtë me atë që bënë edhe bashkëpunëtori “X”, ashtu edhe gazetari “Y”, të cilët rrëfimin e tyre e ndërtuan vetëm me emra, por që u mungonte edhe mbiemri. Kjo bëri që të përfliteshin kot më kot në media nëpunës të shtetit të cilët kanë emra të njëjtë me personazhet për të cilat flasin të ashtuquajturit dëshmitarë, por jo se ata janë me të vërtetë personat me të cilët ata kanë kontaktuar.
Sa herë dëgjoj Lulzim Bashën dhe Sali Berishën teksa flasin për skenarë kriminalë, gjithnjë i jap të drejtë kryeministrit Rama i cili, mëse një herë ka thënë që “këtë të dy i ndërtojnë akuzat e tyre për ngjarje që i kanë bërë vetë, ose i kanë pasur ndërmend për t’i bërë vetë dhe kujtojnë se edhe të tjerët veprojnë si ata”.
Denoncimi më i fundit i Lulzim Bashës më çoi prapa në kohë, në janarin e vitit 2011, pak ditë pas vrasjes së 4 demonstruesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Vëllai i njërit prej viktimave, Zabit Deda, do të denonconte në media se të dërguar të kryeministrit Berisha i kishin shkuar gjatë natës me një valixhe me para me qëllim që të heshtte për vrasjen e të vëllait, Hekuranit, si dhe i kishin kërkuar që të priste për ngushëllim vetë Sali Berishën.
Qëllimi djallëzor ishte më se i qartë: Të blinte me para heshtjen e familjes Deda si dhe, duke e pritur në konak përgjegjësin kryesor të asaj ngjarje, të jepej mesazhi që kjo familje nuk kishte asnjë problem me kryeministrin Berisha, por me liderin e opozitës Rama që e çoi familjarin e tyre drejt grykës së zjarrit.
Por, falë karakterit të fortë të kësaj familje, jo vetëm që nuk u joshën nga paratë, jo vetëm nuk e pranuan në derë shkaktarin e tragjedisë familjare, por e denoncuan edhe në media. Si përfundim morën një kërcënim se do paditeshin për shpifje.
E megjithatë, dëshmia e Zabitit mbetet e vërtetë për vetë faktin se ai i doli zot vetë asaj që i kish ndodhur në pragun e shtëpisë së tij, e nuk u fsheh pas emrave anonimë. Ai nuk shkoi të trokasë tek selia e PS-së e të kërkonte avokatinë e Edi Ramës, por u përball i vetëm me pushtetin e Sali Berishës duke e denoncuar në media.
Duke vijuar më tej në kohë, në marsin e vitit 2008, ku pas shpërthimit të Gërdecit kryeministri Berisha u investua me të gjitha fuqitë e mundësitë për t’u mbyllur gojën banorëve duke i joshur me para dhe duke u ndërtuar nga fillimi shtëpitë e shkatërruara.
Ashtu siç nuk u tulat Zabit Deda, ashtu nuk u dorëzua edhe një nënë gërdecare me mbiemrin Durda, e cila nuk bëri kompromis me gjakun e fëmijës së saj. Pasoja e joshjes qeveritare u panë pas një viti kur ky fshat i dhunuar me të vrarë e votoi masivisht Partinë Demokratike.
Natyrisht, skenari që Lulzim Basha kish ndërtuar në mendjen e tij kur e hodhi në publik çështjen e audio-përgjimit, kishte tjetër zhvillim, por për fatin e keq të tij nuk i shkoi situata ashtu siç ai e kish menduar. Ajo që tashmë dihet është se pasi të publikohej audio-përgjimi i bashkëpunëtorit “X” dhe të ngrihej në publik kauza kriminale ndaj familjes Xhafaj, ky bashkëpunëtor i identifikuar tashmë si Albert Veliu, do të arratisej familjarisht nga vendi për të kërkuar strehim politik në një vend perëndimor.
Në këto kushte, prokuroria do e kishte të pamundur ta merrte në pyetje. Kësisoj, faji do të rëndonte i tëri mbi Agron Xhafajn dhe kështu Lulzim Basha realizonte dëshirën e tij që nëpërmjet rrëzimit të Fatmir Xhafajt të fundoste edhe vetë kryeministrin Rama.
Në kushtet kur Albert Veliu u arrit të kapej pa u larguar nga Shqipëria, tashmë që kemi edhe dëshmitë e tij e të tjerëve që janë një kontradiktë e paparë si pasojë e të gënjyerit dhe të qenit të papërgatitur për një Plan B, Lulzim Bashën dhe gjithë pjesëtarët e komplotit i ka zënë paniku i çmontimit të skenarit kriminal që e gatuan në zyrat e SHQUP-it.
Nën ankthin e një frike se mos dëshmitari i tyre famoz me akronimin e çuditshëm “X”, nis e zbërthehet duke treguar gjithë mekanizmin se si u stis ngjarja, ata i paraprijnë kësaj situate duke deklaruar pa pikën e turpit se ministri dhe vëllai i tij po duan të blejnë dëshmitarin.
Nuk bën kurrë vaki që kur dëshmitari kapet në gënjeshtër me ato që thotë sa herë jep intervistë, i akuzuari i tij të shkojë e ta frikësojë të mos flasë. Kur gjithë opinioni publik në masën dërrmuese nuk po e merr të mirëqenë dëshminë e tij, çfarë logjike është kjo që të akuzuarit po e blejnë atë, apo më keq, po e kërcënojnë me vrasje?! Praktikisht kjo do të thotë pranim faji.
Ajo që policia duhet të bëjë në këtë rast është që këta dëshmitarë të rremë duhen marrë në mbrojtje deri në përfundim të procesit. Pas deklaratës së Lulzim Bashës ata me të vërtetë ndjehen të kërcënuar, jo nga pushteti, por nga ustallarët që ia gatuan keq skenarin.
Lulzim Basha duhet të shkojë urgjentisht në prokurori, për të denoncuar me emër e mbiemër, të gjithë grupet kriminale të segmentit Vlorë-Fushë Krujë që krye-demokrati thotë se i njeh. Natyrisht, përdore duhet të ketë edhe të afërmit e Albert Veliut të cilët e kanë zgjedhur si zëdhënës të tyren Lulzim Bashën. Nëse nuk e bën, duhet që vetë prokuroria të nisë çështjen kryesisht, sepse ndodhemi përpara një ngjarje mjaft të rëndë. Unë besoj se Lulzim Basha s’ka për ta bërë këtë se i bie të denoncojë fantazmat, por prokurorisë i del për detyrë që t’i japë drejtim edhe kësaj tymnaje të re që ngre sërish lideri i opozitës.
Opinioni publik nuk mund të mbajë mbi supe ankthet e liderit të opozitës. Ai vërtetë që po mbyt anijen e partisë së vetë, por askush s’ia ka për borxh që të mbysë edhe ëndrrën evropiane të Shqipërisë. Tallja e tij me popullin shqiptar duhet të marrë ndëshkimin e merituar, tashmë jo më elektoral, por atë që meriton, penal!