Periudha e komunizmit është bërë kryefjala e ditëve të fundit në Shqipëri dhe jovetëm, ku ish-presidenti Ilir Meta figuronte si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Gjithë kjo “rrëmujë”, ndodhi si pasojë e një dokumenti ekskluziv të Autoritetit të Dosjeve që zbulon se Ilir Meta është politikani i lartë i Shtetit që përmendet në dosjen e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Në dokumentin e Autoritetit të Dosjeve, thuhet se ish-presidenti Meta rezulton bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe nëse verifikimi i Metës do të bëhej sot certifikata e pastërtisë së tij do të ishte ndryshe.
Përballë kësaj situate, Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të verifikohen politikanët që dolën në të pastër në Komisionet në vitet ’90. Por për të mësuar më shumë rreth kësaj çështje dhe për të hedhur më shumë dritë rreth këtij debati, gazet “SOT”, bisedoi me ish-funksionarin e Lartë të Partisë së Punës, Muharrem Xhafa. Ky i fundit është një ndër njohësit më të mirë të historisë dhe gjeo-politikës, ndërkohë që gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ka treguar me detaje se çfarë di ai për Ilir Metën dhe çfarë fshihet pas akuzave se ai ka qenë spiun i Sigurimit. Sipas zotit Xhafa, shumë politikanë janë alarmuar pasi për çdo individë ekzistojnë 2 dosje.
-Zoti Xhafa, kohët e fundit është folur se Ilir Meta ka qenë agjent aktiv i Sigurimit të Shtetit shqiptar. Si mendoni ju, a është kjo një akuzë politike apo një e vërtetë?
Për Ilir Metën, i cili ishte deri më 24 korrik 2022 Presidenti i Republikës së Shqipërisë, kam dëgjuar të thuhet e të debatohet në shtyp, në emisione televizive, në popull etj. për megahajdut, për porositësh vrasjesh me pagesë, për karrierist, për njeri i pangopur e tejet i korruptuar, por jo për spiun aktiv i Sigurimit të Shtetit. Para disa ditësh u tha edhe kjo! Unë nuk marr përsipër të them nese ka qenë ose jo i rekrutuar aktiv i Sigurimit të Shtetit, po çfarë nuk bën vaki, bile disa media në vend po botojnë dokumente e të dhëna se zoti Meta në rininë e tij ka qenë i rekrutuar aktiv i Sigurimit të Shtetit.
-Ndërkohë thuhet se dosjen e tij e ka “pastruar” vetë Sali Berisha, me qëllim që ta kishte Ilir Metën në dorë për punë të pista…
Mundet të jetë edhe kështu, ndaj thashë se çfarë nuk bën vaki dhe se media juaj po jep dokumente, fakte e të dhëna, le të themi, të pakundërshtueshme. Po, në kohën që ka vepruar Sigurimi i Shtetit, në mos gaboj, deri më 1988-n, Ilir Meta ka qenë nxënës shkolle dhe, sa di unë, Platforma e Sigurimit të Shtetit, përjashtuar ndonjë rast me interes të veçantë, komunistët dhe nxënësit e shkollës nuk lejonte të rekrutoheshin në organet e Sigurimit të Shtetit.
-Domethënë, Ilir Meta nuk ka qenë agjent aktiv i Sigurimit të Shtetit?
Unë nuk thashë ashtu. Thashë se çfarë nuk bën vaki, se nuk di as që ka qenë, as që nuk ka qenë i rekrutuar aktiv i Sigurimit të Shtetit, se gazeta juaj po jep e publikon fakte, të dhëna e dokumente se Ilir Meta ka qenë i rekrutuar aktiv i Sigurimit të Shtetit. Thashë edhe se, sa di unë, komunistët e fëmijët e shkollave, si rregull, nuk rekrutoheshin nga organet e Sigurimit të Shtetit, se në shkolla atë detyrë e kryenin të tjerë njerëz. Nëse zoti Meta ka qenë i rekrutuar aktiv nga Sigurimi i Shtetit, unë nuk e urrej atë si qytetar, po, si politikan i lartë borgjez i vendit, ai duhet të kishte njoftuar të vërtetën.
Se në çdo kohë heshtja, gënjeshtra dhe fshehja e fakteve janë qëndrime të dënueshme si moralisht, ashtu edhe juridikisht. Në socializëm këtë nuk kishte guxim ta bënte kush! Në kapitalizëm X-i apo Y-i mund të gëzohen që dosja u është “pastruar” nga dokumentet kompromentuese prej dikujt, por harrohet se dokumentet origjinale ekzistojnë të plota të mikrofilmuara. Është politika borgjeze ajo që, për qëllime të caktuara, të mbrapshta, nuk ka dashur ta bëjë publik atë fakt ose fakte të tjera, por jo se nuk i di ose nuk i ka ditur, sepse dosjet aty kanë qenë. Sado vonë, një ditë e vërteta do të dalë në dritë!
-Si të duket që kjo akuzë u bë publike të nesërmen e largimit të zotit Meta si President i vendit?
Rigels i nderuar, rëndësi ka të kuptohet se asgjë nuk është bërë rastësisht dhe se sa i vërtetë është ky lajm që po bën xhiron e botës. Fjalën tani duhet ta thonë specialistët e fushës dhe organet e drejtësisë në bazë të ligjeve të sotme.
-Po që zoti Meta u shfaq më 25 korrik në një mbledhje të madhe të LSI-së në Pallatin e Kongreseve, e cila polli “Partinë e Lirisë” si t’u duk?
Ajo mbledhje m’u duk një veprim i nxituar i Metës, një përpjekje për të mbetur në pushtet dhe diçka e planifikuar qysh më parë. Punë e tij. Partia e Lirisë”, në thelb, ka brenda LSI-në, madje fsheh edhe bashkëpunimin me Sali Berishën, është as mish, as peshk, është një parti e borgjezisë në ndërtim dhe, ashtu si partitë e tjera borgjeze të vendit, nuk do të mund të arrijë të bëjë opozitë për interesat e masave të popullit, madje të lë përshtypjen se u krijua si një forcë politike për të fshehur veprimtarinë e zotit Meta. Rigels, sado të betohet e të stërbetohet për popullin një parti borgjeze, ajo punon për borgjezinë e pasur, jo për popullin, të cilin kanë 32 vjet që e “ngopin” me rrena.
Mbase Meta synon t’ia hedhë edhe Saliut, duke e mikluar me fjalë të bukura për të ardhur vetë në krye të pushtetit të borgjezisë, jo të pushtetit të popullit, pastaj…”harro mushkë Valarenë”…! Po Saliu është “ujk i vjetër”! Këtë zoti Meta e di bukur. Rigels, diku kam shkruar se presidenti a presidentja e Republikës dhe partia a partitë politike shqiptare borgjeze, që urrejnë dhe nuk nderojnë me vepra popullin shqiptar, Skënderbeun e luftën e tij, Ismail Qemalin me shokë e Pavarësinë e Shqipërisë, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, partizanët e të rënët e saj, Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe udhëheqësin e PKSH e PPSH, Enver Hoxhën, arritjet themelore të socializmit, paprekshmërinë e kufijve të Atdheut, që nuk bëjnë zap kriminalitetin dhe korrupsionin shtetëror, nuk do të kenë sukses dhe shpejt a vonë do të dështojnë.
-Gjithë ato akuza të rënda që u janë bërë Metës, Berishës, Ramës etj, si të tejinkriminuar e të tejkorruptuar, si të duken?
Të rënda më duken, por ato janë akuza. Nuk duhet harruar se pushteti, qeveria, drejtësia e gjithçka tjetër me rëndësi në kapitalizëm janë në duart e klasës së borgjezisë, jo të masave të popullit! Dhe mund të mbeten akuza. Me gjithë të metat e tij, në socializëm nuk ndodhte dhe as mund të ndodhte si sot. E di që njerëzit shpresojnë shumë te SPAK-u, i cili mund të bëjë ndonjë gjë të mirë, po nuk duhen harruar gjykatat, se ato e kanë fjalën e fundit.
Po kështu nuk duhet harruar se si SPAK-u, ashtu edhe gjykatat e të gjitha niveleve janë organe në duart e borgjezisë kapitaliste. Sado të jenë të pavarura, partia borgjeze në pushtet, në një formë a në një tjetër, nuk mund të mos ketë ndikim mbi to. Ajo është gati t’u bëjë lloj, lloj lëshimesh partive borgjeze opozitare e drejtuesve të tyre, ndërsa popullit jo! Duam a nuk duam, thoshte Engelsi, mbi të gjitha sundon politika.
-Berisha dhe Meta akuzojnë kryeministrin Edi Rama për këto akuza, me qëllim që të zgjasë qëndrimin e tij në pushtet! Ju si mendon?
Rigels, ti e di që unë jam për sistemin socialist. Rama është sot kryeministër, po nuk do të jetë gjithmonë, një ditë edhe ai do të zëvendësohet ose hiqet. Po ato që lexova në gazeta dhe çfarë pashë e dëgjova në televizione m’u dukën një “mbrojtje” banale e vehtes si nga Berisha ashtu edhe nga Meta. Rama si kryeministër përgjigjet para ligjit nëse e ka ditur dhe ka heshtur që Presidenti i vendit nuk plotësonte kushtet ligjore për të qenë Kryetar Shteti dhe që dosjen e Metës e ka “pastruar” Sali Berisha.
Ndaj duhen pyetur ata të Autoritetit të Dosjeve. Rigels, poshtërsia qëndron te Kuvendi i Shqipërisë, sepse ai ka bërë dhe bën ligje në mbrojte të vetvetes dhe të figurave qendrore të shtetit, ndërsa duhet të ndodhë e kundërta. As Rama, as Meta, as Berisha dhe askush tjetër nuk mund të dalë i pastër, nëse njerëzit e tyre janë ose bëhen pis!
-Po nëse gjithë këto akuza për Metën janë të vërteta?
Sipas meje, këtu ka dy gjëra : Së pari, akuzat duhet të vërtetohen nga organet përkatëse. Së dyti, duhet të shihet sipas ligjit tërë veprimtaria e Metës si president. Rigels, asgjë nuk ka ardhur rastësisht, gjithçka është bërë me qëllim të caktuar!