Kanë kaluar më shumë se 7 muaj dhe një denoncim për një skandal të përmasave të mëdha, nuk po merr ende asnjë përgjigje nga Prokuroria e Elbasanit.
Bëhet fjalë për një vjedhje që kap shifrën e rreth 100 milionë lekëve të reja (rreth 1 milionë $), të cilat u konstatuan “të zhdukura” nga inventari fizik i mallrave dhe materialeve në magazinën e ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan.
Por çfarë të bënë habi është fakti se, edhe pse kjo vjedhje galopante është denoncuar nga vetë drejtuesi i ri i kësaj ndërmarrjeje, nga ana e Prokurorisë së Elbasanit nuk ka ende asnjë reagim!
Duket se edhe kjo dosje do të ketë fatin e dosjes për skandalin me matësat e konsumimit të ujit, për të cilën Prokuroria e Elbasanit nuk denjoi të nisë fare hetim!
Ndërkohë, nga ana e Bashkisë së Elbasanit, jo vetëm që nuk është marrë asnjë masë administrative për personat kryesorë që kanë përgjegjëgjësi për këtë vjedhje (ish magazinieri, ish drejtoresha e financës Ariola Memetaj dhe ish administratori Luan Dervishi), por këta persona janë emëruar në instanca më të larta në Bashkinë e Elbasanit!
Kështu, ish magazinieri vazhdon punën normalisht në administratë, ndërsa znj. Ariola Memetaj është emëruar dhe sot kryen detyrën si administratore e Inceneratorit të “famshëm” të Elbasanit dhe z. Luan Dervishi është Drejtor i Përgjithshëm pranë Bashkisë!
A mund të na shpjegojë kush në Bashkinë e Elbasanit ku e gjejnë kurajon ata që bëjnë këto emërime?!
Po në Prokurorinë e Elbasanit, a ka kush ndonjë përgjigje të na tregojë se kur do shpluhëroset kjo dosje?
Ku e ka bazën karshillëku i gjithë këtyre “trimave”?! Apo kanë harruar që sot Shqipëria ka edhe SPAK?/Ekskluzive.al