Ndërsa Skënderbeu fitoi titullin kampion në Shqipëri, në Maqedoninë fqinje një tjetër skuadër shqiptare vendosi diktatin e saj. Është Shkëndija e Tetovës, e cila sot në mbrëmje kompletoi suksesin e saj me një tjetër trofe pas titullit kampion, pasi fitoi edhe Kupën e Maqedonisë. Pra, Shkëndija fiton gjithcka në këtë sezon, duke merituar të gjithë vlerësimet.
Në finalen e Kupës, luajtur mbrëmjen e sotme ndaj Pelisterit, kuqezinjtë e Tetovës kanë triumfuar me rezultatin 0-3, duke mos diskutuar për asnjë moment suksesin. Dopieta e Musliut dhe goli i Besar Ibrahimit vendosën fatin e kësaj finaleje, që u fitua tërësisht me meritë nga kuqezinjtë shqiptarë. Triumfi i Shkëndijës solli festë shqiptare edhe në Shkup, pasi skuadra shqiptare e këtij qyteti do të mund të luajë tashmë në Europa League, si skuadra e renditur në vendin e 4-t në kampionat. Futbolli shqiptar në Maqedoni po jeton kështu momentet e arta të tij.