Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka reaguar pas debateve mes Drejtorit të Përgjithshëm Gent Gazhelit dhe biznesmenit Irfan Hysenbelliu.
Drejtoria e Doganave në një mesazh në faqen zyrtare i cilëson si spekulime, akuzat e ngritura nga mediat e “Focus Grup” duke shpërndarë disa faksimile të personave që pretendohet se janë punësuar duke ditur se kanë rekorde kriminale në Greqi.
Drejtoria e Doganave thotë se këto akuza janë publikuar edhe më parë, konkretisht në vitet 2018, 2020 dhe 2021.
Në postim sqarohet se që në vitin 2018, kur është publikuar akuza e parë, katër punonjësit kanë depozituar dëshmitë e pastra të penalitetit, të cilat janë marrë nga autoritetet greke.
Drejtoria e Doganave sqaron se katër punonjësit kanë qenë pjesë e një operacioni antikontrabandë, por pasi autoritet greke kanë sqaruar rrethanat ata janë lënë të lirë.
Drejtoria e Doganave thotë se kjo çështje është mbyllur që në vitin 2018, pasi nuk ka asnjë vendim gjykate që i dënon këto katër punonjës.
“Akuza e ditëve të fundit në media nuk është aspak risi. Kjo akuzë është publikuar për herë të parë në vitin 2018, më pas në 2020, 2021 dhe se fundi këto ditë.
Që në vitin 2018, kur akuza u ngrit për herë të parë, katër punonjësit e Drejtorisë së Doganave kanë depozituar pranë institucionit punëdhënës dëshmitë e pastra të penalitetit, marrë nga autoritetet greke dhe noterizuar në Shqipëri.
Sipas dokumentacionit të vitit 2016, katër punonjësit kanë qenë pjesë e një operacioni antikontrabandë, kur janë ndaluar nga autoritetet greke. Pas sqarimit të rrethanave dhe rolit të personave në fjalë ata janë lënë të lirë nga prokurorët dhe hetuesit fqinjë.
Në kushtet kur nga njëra anë nuk ka asnjë vendim gjykate që i dënon katër punonjësit e Drejtorisë së Doganave dhe për sa kohë dëshmia e penalitetit në shtetin grek është plotësisht e pastër, çështja në fjalë është mbyllur që në vitin 2018, pavarësisht spekulimeve mediatike që vazhdojnë here pas here.
Këto dëshmi po i publikojmë sërish.”-sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.