Reldar Dedaj
Tani që po shkruajmë këto radhë, në mendje na vjen diagnostifikimi i dobësisë së skajshme të shtetit shqiptar që bëri disa vite më parë ish-ambasadori amerikan në Shqipëri.
Herën e parë u dha partive kryesore politike listën me emra të njerëzve që nuk mund të kandidonin në zgjedhje për shkak të lidhjeve me krimin. Me këtë ai tregoi se në Shqipëri ekziston tolerancë ndaj krimit dhe nga të gjithë, duke filluar që nga institucionet e rendit dhe ligjit, partitë politike, udhëheqësit e partive të shtetit etj, dhe ku ambasada amerikane duhet të ndërhynte si një faktor korrigjues përfundimtar.
Herën e dytë doli për të thënë atë që nuk e kanë thënë udhëheqësit e shtetit, se në vend ekzistojnë katër klane dhe 20 familje të krimit të organizuar. Në terminologjinë e kulturës perëndimore të njëqind vjetëve të fundit katër klane e 20 familje vendosin Shqipërinë në hapësirën mes Çicagos së viteve të prohibicionit dhe Kolumbisë së Pablo Escobarit.
Në pauzën mes dy paraqitjeve, ambasadori amerikan po ashtu bindi Parlamentin e Shqipërisë që të përshtasë legjislacionin e vettingut, me të cilin, pak a shumë, njerëzit e FBI-së që e njohin aq bukur Kolumbinë e Escobarit mund të nuhasin me sy mbyllur se cili prej prokurorëve e gjyqtarëve në Shqipëri është i gatshëm të lirojë nga ndjekja a qelia e burgut anëtarin e njërës prej 20 familjeve.
Kronika nuk u ndal me kaq, amerikanët ishin të vetëdijshëm se goditja e krimit në vend nuk mund të realizohej, nëse nuk do nxirrej mbi sipërfaqe koka e madhe dhe nisur nga kjo, ishte vetë sekretari i shtetit, Antony Blinken, që la të kuptojë se në krye të këtyre 20 familjeve mafioze në Shqipëri qëndronte një njeri i vetëm: Sali Berisha. Ai akuzohej nga shteti amerikan për korrupsion, minues i demokracisë dhe pengues i drejtësisë. Më pas, mjegulla pothuajse arriti të davaritej plotësisht, pas vendimit të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët, duke iu bashkuar vendimit amerikan, e akuzonin drejtpërdrejt për lidhje me organizatat kriminale.
II. Shkatërrimi i babës
Militantë dhe jo vetëm të tillë, por edhe ca deputetë të PD-së me mungesë të theksuar të kolonës vertebrale, nga dita në ditë, po shtoheshin rreth vatrës së “babës”. Shumë prej tyre, për t’i treguar se ishin penduar aq shumë për vetë faktin se nuk kishin arritur për t’u bashkuar dot me të që në orët e para të divorcit me Lulzim Bashën, arritën deri aty sa godisnin veten me shuplaka dhe buçisnin me sa fuqi kishin: mos qofshim ne, këta që jemi! Por këtij dyzimi, duke i shtuar edhe propagandën e televizoneve tona kombëtare dhe po ashtu ndihmën e jashtëzakonshme të kryeministrit Rama, në vend u krijua bindja se Berisha po triumfon edhe ndaj amerikanëve. Mirëpo, pas vendimit britanik, shumë prej këtyre njerëzve, duke mos qenë aq budallenj sa dukeshin në fillim, më në fund, vazhduan t’i thërrasin mendjes.
Trutharët, ajo masë njerëzore që pavarësisht çdo deklarate dhe fakti, vazhdojnë t’i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, si Fusharzi me Pukën. Edhe pse për këtë masë njerëzore nuk do jetë aq e lehtë në ditët në vazhdim, pasi kjo masë, do jetë ajo që do mbajë mbi shpinë arsenalin e krimeve që ka kryer “baba”, do mbajnë mbi shpinë traumën nga degradimi i mitit të babait, nga Zot në kriminel, por nuk do mungojnë dhe as dilemat morale se si të jetojnë me hijen, dhe nën hijen e tij.
III. Vdekja e kalit
“Vdekja e kalit”, filmi që u duk si një revolucion në vitet ’90, ka ardhur sërish për publikun shqiptar, kësaj radhe jo si kinomatografi, por si një realitet i hidhur i vendit. Sigurisht, Sali Berisha nuk është heroi i kësaj historie, por turpi i saj, është i njëjti sistem që arriti të çojë njerëzit nën armatura, burgje dhe tortura. Me ndëshkimin euro-atlantik të Berishës, në Shqipëri u mbyll përfundimisht epoka e stratagjemave të komunizmit.
Sali Berisha si një nga udhëheqësit e parë të Shqipërisë pluraliste, nuk foli kurrë për fajin dhe fajtorët në Shqipëri, edhe krimet ndaj familjeve shqiptare ishin shumë të freskëta dhe përgjegjësit e tyre ende të identifikueshëm. Kjo nuk ndodhi. Në vazhdën e një fryme konsensusi mes palëve që e lanë pushtetin dhe atyre që e morën, “faji politik” për 45 vite diktaturë u nda mes popullit dhe Partisë së Punës (kjo e fundit ndërroi emrin në Parti Socialiste duke u “shpëlarë” kësisoj nga përgjegjësitë e të shkuarës?!), dhe, befas, të gjithë u kthyen në “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”.
Paturpësia e ish-kryeministrit Berisha për të mos e gjykuar “fajin politik”, do të shenjonte nën tavolinë gjithë kulturën tonë të kujtesës për tre dekada: mungesa e lustracionit; mungesa e dekomunistizimit; përpjekja për rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha; rehabilitimi i drejtuesve politikë në qeverinë e diktatorit të fundit, Alia; rehabilitimi i ish-drejtorëve të burgjeve dhe të kampeve të internimit; rrënimi i vendeve të vuajtjes, me qëllim fshirjen e gjurmëve të krimit.
IV. Quo vadis?
Historia është kokëfortë. Ajo ka treguar se kushdo që ka filluar luftën me Perëndimin e ka humbur atë. Sali Berisha edhe mund ta fitojë luftën me Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, por ai s’do jetë kurrë aq i fuqishëm sa të fitojë me amerikanët dhe anglezët. Kjo është e vërteta.
Partia Demokratike është partia e parë e pluralizmit dhe s’mund t’ia lejojë vetes të ketë një kryetar me kurs të hapur konflikti me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar. Një luftë e tillë do ishte vetëvrasje jo vetëm për PD-në, për të dhe familjarët e tij, por edhe për mizat që vazhdojnë t’i shkojnë pas “një kali të ngordhur”, i cili, me shembjen e tij, u arrit të mbyllej përfundimisht epoka e trazuar e tranzicionit shqiptar./ Liberale.al/