Me anë të rimbursimit abuziv të TVSH-së nga Tatimet në Shqipëri, biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç ka përfituar 1.7 miliardë lekë apo 1.5 milionë euro padrejtësisht. Ky fakt është evidentuar nga ana e Prokurorisë së Tiranës kohë më parë, e cila nisi dhe hetimet pas kallëzimit të bërë nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Tiranë.
Sipas prokurorisë abuzimi ka ndodhur me rastin e ndërtimit të terminalit për produktet e naftës në zonën industriale të Porto Romanos, ndërsa subjekti i përdorur për realizimin e kësaj skeme mashtrimi ka qenë “Crown Acquisitions”, e regjistruar në gjykatë në datën 20 shtator 2005.
Pikërisht me këtë investim veç 1.5 milionë eurove me rimbursim nga shteti shqiptar, Fazlliç ka përfituar edhe rreth 4 milionë euro kredi, duke futur projektin në fjalë si garanci bankare për këtë shumë.
Nga veprimet që janë bërë në terren për këtë rast, Prokuroria konstatoi kohë më parë se: “Pas verifikimit në vend në Porto Romano, në Durrës, mbi investimin e shoqërisë, u konstatua se nuk ekzistonte asnjë gjurmë e tij”, kjo referuar procesverbalit të mbajtur në datën 15 prill 2016 nga inspektori i kontrollit dhe inxhinierët.
Ato ishin false dhe rimbursimi i TVSH-së është bërë për punë që realisht nuk janë bërë. Është administruar edhe një raport mbi kontrollet e kryera dy në vitin 2011 dhe një në vitin 2012, të cilat janë kryer me kërkesë të vetë subjektit me qëllim rimbursimin e TVSH-së, theksohet në kallëzimin e bërë nga Tatimet në Prokurori.
Nga të tria kontrollet jo vetëm që nuk është konstatuar falsiteti dhe moskryerja e punimeve dhe shpenzimeve, por janë kryer rimbursimet me tri këste në total me vlerën e rreth 1.5 milionë eurove. Crown Acquisitions është e dyta herë që dilte në vëmendjen e publikut. Në prill 2015 Gjykata e Tiranës vendosi bllokimin e kompanisë së biznesmenit serbo-boshnjak në Porto Romano.
Bllokimi i aseteve erdhi në atë kohë si pasojë e mosshlyerjes së kësaj kredie ndaj një banke të nivelit të dytë. Dyshohet se Fazlliç ka vënë në veprim një mekanizëm të pastër mashtrimi, pra thjesht e ka përdorur shoqërinë për të marrë kredinë dhe rimbursimin e TVSH.