Publikimi i disa dokumenteve për punësimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka sjell një përplasje me akuza e kundërakuza mes televizionit në pronësi të botuesit Irfan Hysenbelliu dhe drejtorit të Doganës Gent Gazheli. Sot, në këtë përplasje është përfshirë dh e Edi Rama.
Ai ka publikuar reagimin e Gent Gazhelit dhe ka thënë se mediat e kanë akuzuar, madje dhe personalisht, por nuk kanë nxjerr në media dhe reagimin e kreut të Doganave. Ky reagim i parë i Edi Ramës ka sjell një kronikë të medias News 24, e cila ka thënë se kryeministri i ka dalë në mbrojtje drejtorit të vetë.
Kryeministri reagoi sërish. Ai thotë se nuk ka asnjë personale me median dhe nuk ka mbajtur anën e askujt, ama News 24 duhet të publikonte dhe qëndrimin e Gent Gazhelit në lidhje me akuzat e bëra mediatikisht.
Shënimi i plotë i Edi Ramës:
“Unë u shpreha qartë pa marrë anë. Përkundrazi, thashë se kush është viktimë e një shpifjeje apo shënjestër e një akuze legjitime, duhet të ketë të drejtën minimale të publikimit të opinionit të vet! Dhe siç shihet edhe këtu, kjo nuk ndodh, po vazhdon avazi!
Madje unë s’fola thjesht për këtë grup mediatik që nxjerr “fakte” të 2016-ës pasi pronari i tij gjobitet për fshehje të konsiderueshme të ardhurash në biznesin e tij! Po fola për të gjitha mediat, sepse kjo liria e medias pa të drejtë replike për ato vetë mban erë të keqe shumë!
Sa për “faktet” në thonjëza apo pa thonjëza, sigurisht që Dogana Shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare, por tjetër një denoncim legjitim i fakteve tjetër sulmi personal ndaj drejtuesit të institucionit, direkt pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion!
Asgjë personale, po vetëm logjike dhe parimore. Ligj për shpifjen jo! Ligj për fyerjet e mediave jo! Gjyqe me media e me gazetarë jo! Reagime siç e meritojnë shqip fare në këto raste jo! Po as ankesa për të drejtën e publikimit të qëndrimeve pas një sulmi?! Më duket e çuditshme!”