Detaje të reja kanë dal në dritë pas arrestimit për korrupsion të gjyqtares së Elbasanit Zamira Vyshka, e cila sipas SPAK ka kërkuar para për lirimin e Xhuloi Musaj të arrestuar për plagosje.
Familjarët e këtij të fundit kanë tentuar të korruptojnë gjyqtaren, nëpërmjet avokatit të tyre mbrojtës Ilir Pashaj, me një shumë prej 200 mijë lekë (të reja), por sipas SPAK ajo ka kërkuar 400 mijë lekë.
Me urdhër të SPAK, gjyqtarja e Elbasanit Zamira Vyshka do të përballet me masën e arrestit të shtëpisë nën akuzën e korrupsionit, ndërsa GJKKO ka kërkuar arrest me burg për avokatin Ilir Pashaj, dhe për shtetasit Taulant Ramollari, Xhulio Musaj.
Burimet konfidenciale pohojnë se avokati Ilir Pashaj ka qenë gjyqtar në Elbasan, i larguar nga sistemi i drejtësisë para vettingut, pasi nuk plotësoi formualarin e deklarimit. Pashaj mban pozitën e avokatit prej 4 vitesh. Më përpara ka qenë në seksionin civil dhe më pas penal të gjykatës Elbasanit, ku në shumë vendime ka qenë në trupën gjykuese me gjyqtaren e akuzuar për korrupsion Zamira Vyshka.
Nga ana tjetër mësohet se gjyqtarja Zamira Vyshka, ka bërë kërkesë për miratimin e pensionit të parakohshëm, por KLGJ megjthëse kishte disa muaj që i është paraqitur kërkesa, nuk e ka futur në rend për shqyrtim.
Po nga të njëjtat burime, pohoet se gjyqtarja Zamira Vyshka gëzon disa prona në bashkëpronësi me administratorin e firmës “Flobest” shpk, që merret kryesisht me importe nga Kina dhe Turqia. Këta persona kanë në pronësi një fabrikë që merret me prodhimin e perdeve në autostradën Elbasan-Metalurgjik dhe 1 ndërtesë 3 katëshe në Elbasan tek Rruga e Re.