Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski dhe një vartësi i tij në Ministrinë e Brendshme u dënuan me burg sot nga gjykata e Shkupit pasi kishin shkelur procedurat për blerjen e një makine të blinduar në vlerën e 600 mijë eurove.
Maqedonasit filluan të bënin ironi me kryeministrin e tyre në atë kohë duke e cilësuar një “tank” të vërtetë Mercedesin e blinduar që kishte blerë Gruevski.
Por, një “tank” i ngjashëm është blerë në Shqipëri në vitin 2010 kur në qeveri ishte Sali Berisha. Qeveria ndau 70 000 000 lekë për të blerë një Mercedes të blinduar, i cili u tha se do të përdorej nga parku i delegacioneve, por që u vu në shërbim të Berishës, i cili kishte marrë disa kërcënime në atë periudhë, shkruan Albeu.com.
Përveç disa akuzave në media dhe nga opozita e atëhershme që tani rehatohet në makina po ashtu luksoze, askush nuk kërkoi llogari për shpenzimin kolosal që u bë me taksat e shqiptarëve. /albeu.com/