PD-ja, e mbetur në humbëtirën e mendimit të saj politik, ngriti një kostum të zi, por e qepi me të bardhën. Dhe, si ndodh zakonisht në këto raste, gjithçka po shkon drejt zbardhimit të plotë. Atë që qepi e bëri ngadalë, iu deshën gjashtë muaj për të pritur këtë ditë, ndërsa penjtë e bardhë, dëshmitë e rreme, nuk i llogariti fare. Megjithëse e dinte se të gjitha janë të përdorshme lehtësisht dhe se, pas përgjimit të fabrikuar, gjërat mund të zbardheshin.
Bedri Islami
E gjithë ajo që filloi rreth 10 ditë më parë, megjithëse që nga fillimi tingëllonte si një lojë e pështirë, tani, sidomos pas publikimeve të fundit, qoftë në selinë e PD-së, qoftë në një emision TV, të qartësojnë deri në fund dy gjëra themelore: Pas gjithë kësaj ngrehine është një dëshirë e papërmbajtshme, deri në absurd, për denigrimin e qeverisë Rama dhe duke mos gjetur një kauzë tjetër, është krijuar një gjetje politike-investigative, dhe së dyti, në këtë lojë, veç dy njerëzve që menduan se deti kalohet në këmbë, oligarkët politikë të PD-së, pasi morën flamurin në ditën e parë dhe të dytë, tani janë gati t’ia hedhin atë “Babales”, njeriut X dhe gazetarit Olldashi, në këtë rast njeriut Y.
“Nga frika, thotë njëri e tjetri, në fakt, herë njëri e herë tjetri, e çuam përgjimin në selinë e PD-së, pasi aty janë njerëzit që luftojnë drogën dhe mes tyre, më i shquari qenka Salianji, pasi nuk mund ta çonin në prokurori, se ajo është zaptuar nga Edi Rama, as në Polici, se aty ishte Xhafa”. Ky ishte pretendimi i parë, që bie saora, kur e di se ai përgjim, nëse është përgjim, është bërë në tetor 2017, kur shefi i prokurorisë ishte miku i madh dhe i deleguari shqupas në atë institucion, Llalla.
Ky njihej botërisht si njeriu që kishte mbyllur të gjitha çështjet e nxehta të njerëzve të PD-së, që nga vrasjet dhe deri tek droga e fortë në rrugën e parë të ditur të Kuliqajt të bananeve. Nga kush kishte frikë atëherë gazetari Olldashi dhe dëshmitari që nuk do të jepej, “Babalja”?
Duhet të jesh budalla apo mitingash i thekur të mos e dish tashmë se, përmes dy viktimave të politikës mafioze pëdëiste, nuk u nis të bëhej një përgjim i zakonshëm, por të krijohej një gjendje e pazakontë politike. Që nga tetori e deri në maj shkuan gjashtë muaj dhe në sirtarët e shqupasve rrinte ky përgjim, duke pritur rastin kur bomba e hedhur mund të kishte më shumë efekt.
Nëse ka qenë fjala për një krim, përse PD-ja dhe dy “investiguesit” u bënë palë me krimin për gjashtë muaj duke e fshehur atë? Si mundet që “deputetë luftëtarë kundër drogës për gjashtë muaj heshtin dhe nuk dëshmojnë se në Vlorë, përmes një njeriu të njohur, droga po bëhet si një mall i zakonshëm dhe nuk ngritën peshë, të paktën prokurorinë që në tetor e kishin nën kontrollin e plotë?
Regjistrimi që u dha së fundi tregon dy vetë, njëri ish-trafikant i njohur, i burgosur, herë me punë dhe herë pa punë, që telefonon në një numër, i cili është i Agron Xhafës, e marrim të mirëqenë, i cili nuk i përgjigjet, që e kërkojnë, sipas gazetarit tri herë resht dhe nuk e gjejnë dhe që pastaj, për pesë minuta, pasi e kanë kërkuar gjithë ditën, bëjnë një bisedë të tipit mafioz, sikur mezi paskan pritur të gjejnë njëri-tjetrin.
Dy gjëra janë thelbësore: Nëse Agron Xhafa kontrollonte të gjithë kartelin e drogës në Vlorë, në tetor 2017, përse nuk i dërgoi “investiguesit” drejt “mallit” të tij, po i la të sorollaten rrugëve të Tragjasit, të pyesin dhe të stërpyesin, për të gjetur 20 kg hashash? Cilido trafikant kërkon të shesë mallin e tij, edhe në mos ai vetë nuk ka, kur është bosi apo pashai i drogës, ai e di se ku gjendet, te cili mund ta marrë, me cilin çmim, pasi i vendos vetë dhe nuk i lë dy njerëz të shkretë, njëri i dërguar me dietat e një force politike e tjetri duke pritur shpërblimin e tij, të vërviten, që nga kryeplaku e deri tek një shitës dyqani.
Së dyti, edhe pse askush nuk e di se cili investoi 20 deri 24 mijë euro për të “saktësuar” investigimin, kush qëndron pas gjithë kësaj duhet të qartësohet. Salianji është njeri me lekë, por, edhe nëse ai nuk ka, para me shumicë, të grabitura, gjenden tek shumë nga figurat e PD-së. Të jenë ata pas këtij investimi? Apo, mund të jetë krejt tjetër: dy “ investiguesit”, njëri i njohur në botën e trafikut e tjetri duke marrë mendjen e tij, kanë dashur vërtetë të përfitojnë nga trafiku i marijuanës dhe kanë dështuar? Apo e kanë shitur atë dhe tani nuk thonë se ku është?
Mund të ndodhë që droga e shitur është kthyer rishtas tek ata në një përfitim tjetër dhe këtë e mbajnë ende në vete? Të dy ata, dëshmitari dhe gazetari, janë njerëz të varfër përgjithësisht; nuk i ka ecur puna dhe nuk mund të hedhin në det 24 mijë euro, veç për t’ia marrë hakun Agron Xhafës për një paketë cigare. Kush ka dijeni për drogën e blerë?
Përse kjo e dhënë është fshehur kaq gjatë dhe e njohur vetëm tani që është hapur një dosje e veçantë dhe përgjimet mund të shkojnë përtej mendjes së tyre? Të kujt janë paratë e investuara: kush është njeriu me zemër të madhe që i paska besuar 24 mijë euro një njeriu të njohur si trafikant dhe i burgosur?
Si quhet ai? Nëse teza se kush e bëri përgjimin po kthehet në një fantazmë, njeriu që dha paratë për blerjen e drogës, cilido të jetë, nuk mund të jetë fantazmë. Nëse tani, të gjithë, Babalja, Olldashi, Salianji,Basha, ish ministri i përkohshëm dhe ish ministri tjetër, nuk i dalin zot përgjimit, nuk i dalin zot investimit dhe në fund nuk do i dalin zot as dy të parëve, si mund të besosh se paska ndodhur në pesë minuta ajo që nuk shihet, nuk saktësohet, aq më tepër nga dy njerëz që në dy paraqitje të tyre, kanë mashtruar mbi njëzet herë, edhe kundër njëri tjetrit.
Nëse ka dyshime se ku është fillesa e këtij krimi, sepse është krim qëllimi i destabilizimit të vendit, këtë e bën të qartë vetë Olldashi. “Më morën një natë në të gdhirë nga PD-ja”, tregon ai, për të intervistuar Babalen. E kishin gjetur. E kishin gjetur edhe më shpejt se sa prokuroria. E kishin fshehur në selinë e tyre, si fshihnin në vitin 1998 armët për grushtin e shtetit.
Mendonin se përmes tij, Babales, mund të bënin një grusht shteti tjetër dhe për këtë po përgatiten. Olldashi shkoi me vrap, që pa gdhirë, pasi Babalja po bëhej gati të kalonte kufirin dhe të mos ishte më. E pastaj?
PD-ja, e mbetur në humbëtirën e mendimit të saj politik, ngriti një kostum të zi, por e qepi me të bardhën. Dhe, si ndodh zakonisht në këto raste, gjithçka po shkon drejt zbardhimit të plotë. Atë që qepi e bëri ngadalë, iu deshën gjashtë muaj për të pritur këtë ditë, ndërsa penjtë e bardhë, dëshmitë e rreme, nuk i llogariti fare. Megjithëse e dinte se të gjitha janë të përdorshme lehtësisht dhe se, pas përgjimit të fabrikuar, gjërat mund të zbardheshin.
Kjo nuk i ka interesuar asnjëherë. Do të thonë përsëri se “shteti është i kapur”, bile mund të shkojnë edhe më tej, si shkoi një kapter i politikës, Nishani, duke bërë thirrje që kjo qeveri të shkulet me zjarr e me hekur, apo si po bëjnë tani lësëistët, që janë shumë më me mend se shqupasit, ndoshta edhe nga përvoja me përgjimet, që kërcënojnë haptas të gjithë strukturat për një të ardhme të tmerrshme.
Përse e ravijëzuan këtë kostum të zi shqupasit?
Shumë vetë mendojnë se janë kundër hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Duke qenë e vërtetë, nuk është e plotë. Ata, edhe po të ishin në pushtet, nuk do e donin një kontroll të gjithanshëm të Bashkësisë Europiane mbi sundimin e tyre. Kanë qenë kundër nga fillimi, pavarësisht paraqitjes së tyre si demokratë, një leckë që i ka rënë prej kohësh.
Ka edhe një të vërtetë tjetër. Që është më e ndjeshme për to dhe më e pranishme në jetën e tyre.
Janë të paktë njerëzit e kupolës shqupase që nuk janë përfshirë në punë të errëta dhe që nuk qëndrojnë pas shumë ngjarjeve fatale. Një farsë elite politike që, më shumë se gjithçka tjetër mendon për të ardhmen e saj, dhe që, të mbetur në mëshirën e mendjes së Palokës, Ristanit apo të Nokës, përmes njerëzve të saj në institucionet e drejtësisë, ka të dhënat e duhura se jo shumë larg mund të jenë objekt hetimi dhe gjykimi.
Prokuroria është në fillesën e shkëputjes nga ndikimi dhe zotërimi i tyre. Duhet të jetë shumë i vëmendshëm një pjesëtar i strukturave të drejtësisë që haptas, si më parë, të shfaqet si pjesë e politikës dërmuese dhe zhvatëse të shqupasve. Ose që ka vendosur të jetë një kamikaz dhe shpërblyes i ndereve që u kanë bërë shqupasit.
Disa nga gjyqtarët e emëruar nga selia blu janë ende nën dhunën e dosjeve të përgatitura për ta dhe që gjenden në një zyrë ku e dinë fare mirë edhe se çfarë përmbajnë. Lëvizjet e ndonjë gjyqtari për të gjetur apo sajuar mbetje përgjimesh nuk janë më të panjohura. Ky ka qenë edhe ndër shanset e pakta që kishin shpresuar.
Ata e mbajtën gjashtë muaj “përgjimin” të fshehur, e mbajtën në sirtarë dhe në këto gjashtë muaj, përmes një strukture policore ilegale që kanë krijuar, vunë nën përgjim Agron Xhafën, Fatmir Xhafën, si ministër i Brendshëm, disa ministra dhe deputetë, vetë shefin e qeverisë, dhe fakti që edhe sot e kësaj dite deklarojnë pa ngurruar se janë jashtë ligjit në veprimtari ilegale për partitë politike se, shumë shpejt, do të publikojmë video të reja.
Çfarë është kjo strukturë: repart fashist, strukturë mafioze, organizatë politike apo një njësi e komanduar nga veriu kundër shtetit shqiptar?
Këtë do e themi në vazhdimin e këtij shkrimi.