Kur partia Meta-Kryemadhi e përdorte 30%-shin e pushtetit, si pronë private
Shkruan: Memo Aliaj
Një biznesmen importi, përpunimi, prodhimi e tregtimi ushqimesh, na bëri me dije, se 63 biznesmenë të disa sektorëve të prodhimeve e shërbimeve, kanë bërë një denoncim të përbashkët në prokurori, kundër ish-drejtorëve të disa institucioneve, përfaqësues të LSI, shoqëruar edhe me emra zyrtarësh partiakë e ministrash të kësaj partie, të cilët kanë abuzuar me detyrën, duke përdorur presione, për të përfituar financiarisht!
Sipas biznesmenëve, denoncimi ka si subjekt 75 ish-drejtorë institucionesh e shërbimesh publike, të emëruar prej LSI në qeverisjen “Rama-1” në vitet 2013-2017, të cilët duke shfrytëzuar pushtetin absolut e të pa kontrolluar që dispononin, zhvatnin nga bizneset, financa dhe mallra e produkte të ndryshme.
Zhvatja prej LSI, bëhej me “grafik mujor” me emra firmash dhe me lista mallrash, produktesh e vlerash financiare, të paracaktuara.
Kjo skemë hadutërie, realizohej nëpërmjet drejtorëve, shefave të sektorëve, të inspektorateve, të agjencive e shërbimeve publike që ishin pushtet i kontrolluar vetëm prej LSI.
Drejtorët e dërguar prej ministrave e prej sekretarëve të përgjithshëm apo shefave të kabineteve të ministrave të LSI, por inspektorët e dërguar prej drejtorëve, shkonin pranë bizneseve me prepotencë dhe gjithë “trimëri” e fodullëk prej qehallarësh të Likes e Monës, u linin atyre “fletën” e gjobës dhe “lisën” e mallrave, shoqëruar me afatin e pagesës në dorë dhe çuarjen e mallit në disa “depo rezervash” që kishin sekserët e partisë!
Sipas denoncimit, kjo plaçkitje dhe gjobitje financiare pirate, bëhej në sasi e vlera më të mëdha, kur LSI kishte kongrese, konventa, mitingje, eskursione, udhëtime jashtë shtetit të “udhëheqësve”, piknike e kampingje masive me të rinjtë e saj.
Tmerr kanë qenë kampingjet që zhvillohesin në Jalë, mbasi drejtorët e LSI i detyronin, që përveç vlerave financiare të “dhuronim” edhe mallra të ndryshme, sidomos ushqime, bluza me logon e LSI dhe fytyrën e Ilir Metës, veshje e pajisje sportive, karrike, flamujë, stenda, tavolina, çadra, pantoflla, kabëll elektrik, ndriçues me bateri, produkte ushqimore që nga buka, vaji, mishi, sallamrat, pulat, prodhimet “Fast-Food”, frutat, perimet, stufat e gazit për gatim e deri tek pijet freskuese, pa harruar pijet alkolike “VIP” për shefat e LSI që ishin kujdestar të kampingut rinor të Jalës, por pa harruar as transportin e të rinjve!
Kujtojmë, që çdo stinë vere, LSI grumbullonte në Jalë një “ushtri” prej 5000 të rinjsh të cilët strehoheshin, ushqeheshin e argëtoheshin me shpenzimet e bizneseve që jepeshin jo me dëshirë, por me “kërbaçin” e ushtruar prej drejtorëve të LSI, nën presionin e ndëshkimeve, në rast se nuk bindeshin!
Tmerr shpenzimesh kanë qenë edhe Konventat e LSI, për të cilat duhej të paguaje “tarifën” financiare në shifra milonëshe që vendosnin drejtorët, pa harruar ushqimet dhe pijet, për delegatët që konsumonin në momentet e pushimit e për më tepër pagesat e shpenzimeve për delegacionet e huaja.
Shumë prej këtyre drejtorëve e inspektorëve të LSI, i kërkonin lekët ose eurot në emër të LSI, shpesh edhe duke përdorur kujtesën: “Eshtë porosi e Likes, urdhër i Monës apo ministrit”.
Kush nuk bindej, gjobitej me 10 fishin e vlerës së kërkuar, ose i bllokohej ativiteti dhe nuk mund të ankoheshe askund, mbasi këto ministri dhe drejtori ishin pjesë “tepsie” e LSI, ku kryeministri nuk ndërhynte!
Drejtorët e LSI në sektorin e kontrollit ushqimor, në bujqësi, transportin rrugor, inspektoratin qendror teknik, rrugët, ujërat, pesticidet, farmacitë veterinare, patentat, targat, licencat e autobusëve, fermat blegtorale, importi miellit, furrat e bukës, fabrikat e qumështit, fermat e bagëtive, serat, prodhimin-përpunimin e mishit dhe bulmetarve, ushqimet për kafshët, nafta, gazi, kromi, në HEC-e private, në biznese hekuri e inerte, lojëra fati, bakri e karburantet dhe 30% pjesë pushteti në sektorët tjerë të ekonomisë.
Këto biznese ishin në “syrin” dhe “shigjetën” e zhvatjes prej LSI e cila siç kemi parë, zhvillon aktivitete masive e luksi, që kërkojnë miliarda lekë shpenzime.
Ku i ka gjetur këto milirda LSI?
Këtë do ta zbardh hetimi i denoncimit që anë bërë bizesmenët e plaçkitur prej kësaj partie hajdutësh, duke thirrur ish-drejtorët dhe zyrtarët e LSI që kanë realizuar këtë skemë hajdutërie, emrat dhe zullumet e të cilëve do t’i publikojmë në vijim…