Ramiz Alia dhe Thanas Nano më dhanë çmimin e parë, kështu e nis historin e fitores në festivalin e 13, me këngën “Vajzat e Fshatit” tim kompozitori Enver Shëngjergji
Unë në malësinë e Kërrabës gjeta një frymëzim. Shikoja djem e vajza që punonin nëpër fusha dhe kështu atëherë kompozova këngën: “Vajzat e fshatit tim” me tekstin e Zhuljana Jorganxhiut e kënduar nga Alida Hisku. Për fatin tim të mirë, regjimit të asaj kohe i duhej kjo lloj krijimtarie.
Por gjithmonë me shprehjen siç thotë i madhi Kadri Roshi “Jam mendjemadh sepse nuk jam mendje vogël”, ishte një meritë e imja se për herë të parë në historinë shqiptare citova muzikën popullore. Unë mora temat e muzikës popullore dhe i gërshetova dhe i solla në muzikën e lehtë shqiptare. Kjo ishte një meritë profesionale artistike, por përkoi shumë mirë edhe me kërkesat e kohës që ishin atëherë. Pra, mbas Festivalit të 11-të, unë mora pjesë në Festivalin e 13-të dhe fitova çmimin e parë me tekst të Zhuliana Jorganxhiut. Ishin dy këngë që pretendonin:
Një këngë e Pjetër Gacit “Qemal Stafa, yll i lirisë” i kënduar nga i madhi Gaqo Çako, dhe kënga “Zjarr” e Tish Daisë e kënduar nga Avni Mula. Unë atëherë isha një kompozitor i ri dhe mora çmimin e parë. Këtu u bë një luftë e madhe ose do të merrte çmim të parë Pjetër Gaci ose do të merrte çmimin të parë Tish Daia. Atëherë ka qenë drejtor i Radio televizionit Thanas Nano. Ai shkon tek juria dhe i pyet ata se a e kishin zgjedhur çmimin e parë. Juria nuk vendoste.
Thanasi shkon tek Ramiz Alia dhe i thotë se kishin rënë në hall e se nuk e caktonin dot se kush do ta marrë çmimin e parë.
Ramizi i thotë se ishte një këngë e atij djalit të ri, që ka qenë dënuar një herë nga Festivali 11-të, dhe paska zënë mend. Si duket atëherë i ra murit ballë për ballë dhe tani i bie murit anës e pas anës. Aty vjen Thanas Nano dhe thotë se çmimin e parë e marr unë dhe këta dy pretendentët kryesorë çmim të dytë. Ajo ishte një këngë e bukur, ku edhe sot këndohet me endje.
Tashmë kur kanë kaluar 40 vjet e këndon Eranda Libohova, e cila e ka ringjalluar. Ajo këngë nga ana melodike dhe nga ana interpretative ishte e një niveli mjaft të lartë.