Nga Lindita Çela
Urdhri i SPAK që kërcënon, më së pari gazetarët, me burgimin në përhapjen e dëshmive të ca të “penduarve”, është precedenti më i rrezikshëm, në gjykimin tim, e lëshuar nga një strukturë me pritshmëri të larta për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta të qeverisë.
Për qëllimin që u krijua SPAK jam ende në pritje, por nuk mund të hesht kur një urdhër-kërcënimi lëshohet duke iu referuar një ligji që flet për “sekret shtetërorë” e që katandiset në vendim me tre firma prokurorësh, me demek për të penguar përhapjen e dëshmive të thëna nga persona, që dukshëm në interes të tyre mund deklarojnë se kanë dërguar në orbitë, dy satelitë të emërtuar “Albania1 dhe Albania 2”.
Të diskutosh nëse çdo deklaratë e thënë, qoftë kjo edhe përpara prokurorëve të vetuar, a përbën interes publik, është një çështje që hap debat mbi të cilin jam fort e qartë. Por, të urdhërosh mospërhapjen e lajmit dhe të kërcënosh se kushdo që e publikon apo përhap këto dëshmi, në rastin më të mirë tregon se ky institucion vepron si në kohën e Nuhut.
Unë nuk po analizoj se sa të vërteta apo jo janë këto dëshmi, mund edhe të dakortësohem me SPAK, se mendoj se këto dëshmi nuk kanë pikën e interesit publik për tu publikuar, qofsha e gabuar. As dhe nuk mendoj se do të ketë dhe gazetar që do të përfundojnë ne burg, por me shqetëson “pushteti për të kërcënuar” dhe letra e harxhuar për të prodhuar një “urdhër”.
E di fort mirë ky urdhër do të mbetet veç në letër, pasi sot ka qindra metoda të cilat jo vetëm lejojnë publikimin dhe përhapjen, por do të detyrojnë edhe SPAK të nisë një tjetër hetim për zbulimin e “rrjetit të krimit të organizuar të përhapjes së lajmeve”. Dhe deri sa ta zbulojnë procedimin duhet ta shpallin më së pari “Sekret Shtetëror”.