Deputeti i PS, Erion Braçe ka folur me tone të ashpra në foltoren e Kuvendit, për rritjen e çmimeve teksa tha se bujqit shqiptarë po trajtohen si skllevër e po detyrohen të ikin të punojnë jashtë.
Ai është shprehur se bujqit nuk marrin mundin dhe shpenzimet e tyre, teksa i është drejtuar opozitës dhe maxhorancës duke thënë “Maskarenj që i flasin njëri-tjetrin në telefona dhe thonë pse këtyre do u japim ne para”.
“U gëzova shumë që dëgjova se do zerohet tatimi për pagat deri në 50 mijë lekë. Unë para pesë muajsh e thashë në komisionin e Ekonomisë, por u mohua, u kundërshtua dhe u kundërvotua, e ndërsa sot flitet për të. Flasim për grurin, ku nuk po merret askush, përveç grabitqarëve që e kanë çmuar çmimin aty ku duan. Kam një rezervë dhe dua t’ia them propozuesit këtu, që koha e instrumenteve ‘ad hoc’ ka kaluar. Bujqësisë shqiptare i duhet bursa dhe i duhet tani, një instrument transparent-kombëtar, me qëllim që bujku të marrë djersën e tij. Është themelore, sepse po ndodh gjëma.
E kuptoj që tani është vakti i drekës dhe të gjithë kanë ikur për të ngrënë, dhe më vjen t’iu kujtoj, realisht edhe majtas, edhe djathtas, se ajo domatja kushton vetëm 50 lekë, ajo qepa kushton vetëm 20 lekë, ai gruri që ka ndenjur tetë muaj në tokë pa asnjë lloj subvencionimi nga qeveria dje në Tërbuf kushtonte vetëm 36 lekë, pra 4-5-6-7 lekë me humbje. Nuk dëgjon askush dhe nuk reflekton askush për këtë fakt. Për çfarë i doni ata njerëz mo, që të ikin të punojnë si skllevër jashtë vendit e të mos mbjellin tokat e tyre këtu? Shteti të mos i lërë ata njerëz. Po talleni me gjakun, djersën dhe mundin e bujkut.
Maskarenj që i flasin njëri-tjetrin në telefona dhe thonë pse këtyre do u japim ne para. Dhe këta janë bujqit ata që në votojnë ne. Atje ku shkojmë ne një herë më fytyrë të bardhë e të zezë e kërkojmë voton. Z. Duka unë do ta votoj projektligjin tuaj për bujqësinë. Ndahemi sipas ngjyrave politike, ky është një problem. Bujqësia nuk është çështje foto, as e një dreke. Ushqimi është çështje e sigurisë kombëtare” tha Braçe.
Në fund në fjalës së tij, Braçe tha se do të votojë pro projektligjit të propozuar nga Agron Duka, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9817, datë 22.10.2007 “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”.”
Deputeti theksoi se problemi në Parlamentin shqiptar është se deputetët ndahen sipas ngjyrave politike edhe për çështje themelore.
Ai u duartrokit dhe nga opozita.