Ministri gjerman për Evropën, në Zyrën Federale për Punët e Jashtme, Michael Roth u shpreh optimist për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën gjermane “Welt am zonntag”, Roth u shpreh se vendi ynë duhet të ulet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në muajin qershor.
Më tej, ai shtoi se integrimi në Bashkimin Evropian shërben edhe si një sinjal inkurajues për të rinjtë. “Jam optimist për hapjen e negociatave në qershor për Shqipërinë. Hapja e negociatave do të jenë një sinjal inkurajues për njerëzit, veçanërisht për të rinjtë në Shqipëri dhe Maqedoni”, u shpreh ai.
Por pavarësisht kësaj, ministri i Jashtëm gjerman i kujtoi edhe një herë Shqipërisë se hapje negociatash nuk do të thotë mbyllje e punës me reformat. Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë që e pret vendin tonë. “Rruga drejt Bashkimit Evropian është ende e gjatë dhe për çdo hap ka një kusht të qartë.
Pra, çështja e hapjes së negociatave nuk ka të bëjë me pranimin e menjëhershëm, por është hapi i parë drejt një rruge të gjatë”, tha Roth. Në vijim të intervistës, gjermani e ndali theksin edhe tek reforma në drejtësi. Ai nënvizoi se zbatimi i saj do ta çojë vendin përpara. Ministri gjerman shtoi se procesi i pranimit në BE është mundësia më e mirë për të vëzhguar punën e qeverisë në plotësimin e kushteve.
“Gjithashtu, Shqipëria ka arritur sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Procesi i pranimit për në BE është mënyra më e mirë për të parë përpjekjet e qeverisë shqiptare në plotësimin e kushteve. Ballkani Perëndimor është një provë për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian, ndaj unë i bëj apel Bashkimit Evropian, që të jetë më prezente, dhe të përdorë ndikimin e në dizenjimin e të ardhmes për të”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Michael Roth./SOT