Analisti Frrok Çupi teksa ka komentuar ditën e djeshme në një analizë etapat që ka kaluar Partia Socialiste, ka hedhur akuza të fortë në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Analisti ka përmendur krimet që kanë ndodhur kur Partia Demokratike erdhi në pushtet. Çupi e filloi që nga vrasja e Remzi Hoxhës, Ali Ukajt dhe Ilir Konushevcit, e përfundoi deri te thasët plot me dollarë që vinin nga trafiku i naftës dhe armëve.
“Populli nuk u tmerrua aq shumë nga kamxhiku dhe shufrat që e rrihnin pa pushim: Në zgjedhjet e vitit 1996, në bombën e VEFA-s, në bombën e sajuar të Shkallnurit kundër presidentit, në vrasjet e para të 4 martirëve në Shkodër, të Remzi Hoxhës, Ali Ukaj dhe Ilir Konushevcin…Populli u tmerrua më shumë kur dëgjoi dhe vërejti të njëjtën linjë të ‘varfërisë së ndershme’, siç kishte dëgjuar edhe në fillesa, në vitin 1945.
PD, sapo erdhi në pushtet, i dha shqelma popullit ‘demokrat’ dhe e shtyu të hahet me popullin tjetër për shtëpinë, për telefonin, për sheshin e protestës, për rrugën që ndan kopshtin dhe për për kanunin e gjakmarrjes. Në vitin ’93 u kthye direktiva e presidentit: ‘Gjakmarrjen ndajeni sipas Kanunit’. Qeveria e PD lëshoi urdhër të prerë që çdo socialist që ka shtëpi më të madhe se një dhomë e kuzhinë, të strehojë edhe një familje tjetër “demokrate”.
Kështu u bë: Populli ndau me popullin dhomën e vetme, banjën e vetme, hapësirën e vetme të ngushtë dhe urrejtjen që zgjerohej përtej dhomave e përtej banjës. Por populli në të dy anët kuptoi se ‘edhe regjimi i ri anti- komunist’, erdhi me të njëjtën fytyrë siç kishte ardhur diktatura komuniste në vitin 1945”, tha ai.
Çupi ka përmendur dhe skemat piramidale, si edhe trafikun e naftës dhe të armëve. “Ministri i Jashtëm u gjet duke ndërtuar banjën e larë në flori; presidenti i Republikës u kap me thasë plot me dollarë që vinin nga trafiku i naftës dhe armëve; apologjetët e varfërisë u kapën duke futur miliarda në makinën larëse të parave që u quajtën ‘skema piramidale’. Kështu u ndërtua lufta civile, e dëshiruara”, tha ai.