Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka shprehur ironinë e tij me BE sa i përket liberalizimin e mundshëm të vizave për Kosovën.
Vuçiç reagoi pas raportit të Parlamentit Europian, ku i bëhej thirrje KE-së që të liberalizonte sa më shpejt vizat për qytetarët e Kosovës.
Në një konferencë për mediat, Vuçiç ka thënë se është duke pritur që kjo të ndodhë më 23 qershor, ndërsa shtoi se s’ka asgjë kundër kësaj.
Megjithatë, në dukje i revoltuar, ai shtoi se pret me kureshtje të shohë se si Evropa do ta arsyetojë këtë vendim, kur Kosovën nuk e njeh 1/5 e vendeve të Shengenit dhe sipas tij Kosova ka bërë regres dhe nuk po bën asgjë në dialogun me Beogradin.
“Por unë dua vetëm të shoh se si do të shpjegojnë, do t’i shpërblejnë ata që nuk bënë asgjë në dialog, që ndaluan zgjedhjet, që konfirmuan në incidentet e përditshme se nuk e meritojnë besimin e bashkësisë ndërkombëtare”, ka shtuar Vuçiç.