Jens Stoltenberg , sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka deklaruar sot në Finlandë se shqetësimet e sigurisë së Turqisë dhe kundërshtimi i saj ndaj aplikimit të Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO janë të pranueshme.
Stoltenberg vizitoi Presidentin Sauli Niinisto dhe theksoi se ishte e rëndësishme të thuhej se asnjë aleat tjetër i NATO-s nuk kishte pësuar më shumë sulme terroriste se Turqia, ndaj dhe shqetësimet e saj duhet të merren seriozisht.
“Këto janë shqetësime të pranueshme për terrorizmin, por edhe për eksportet e armëve”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin finlandez Sauli Niinisto teksa e vizitoi atë në rezidencën e tij verore në Naandali, Finlandë.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO muajin e kaluar në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
Megjithatë, kërkesa e tyre përballet me kundërshtimin e Turqisë, e cila i akuzon ata për mbështetjen dhe strehimin e luftëtarëve kurdë, si dhe grupeve të tjera, të cilat Ankaraja i cilëson si terroriste.
Stoltenberg tha se Turqia ishte një aleat i rëndësishëm për NATO-n duke pasur parasysh pozicionin e saj strategjik në Detin e Zi midis Evropës dhe Lindjes së Mesme dhe përmendi mbështetjen turke për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.