Sekretari për Çështjet Zgjedhore dhe Ligjore, PS, Eridian Salianji e ka cilësuar “Jo logjik” qëndrimin e mbajtur sot nga ish-kryeministri Sali Berisha në lidhje me vendimin e djeshëm të Kuvendit për të ngritur Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Në një intervistë në studion e lajmeve në MCN, Salianji u shpreh se tashmë këto komisione janë ngritur dhe u takon atyre të vendosin për ndryshimet ligjore.
“Sa i përket reagimit të sotëm duket një reagim jo logjik i z. Berisha për arsye se ngritja e komisionit për reformën zgjedhore tashmë është fakt. Kuvendi ka miratuar deputetët të cilët janë pjesëmarrës në këtë komision, në numër të barabartë deputetësh që janë deputetët e PD dhe të cilët janë pjesë e grupit parlamentar të PD. Besoj që reforma do të ecë në bazë të institucioneve, janë institucionet që miratojmë komisionet që do bëjnë ndryshime ose jo të Kodit Zgjedhor. Tashmë institucioni është Kuvendi, janë grupet parlamentare, janë deputetët, janë ata që do vendosin për reformën zgjedhore”, tha ai.
I pyetur se cilat janë garancitë që të mos ketë vonesa për miratimin e ndryshimeve zgjedhore, eksperti i Çështjeve Zgjedhore në PS siguroi se mazhoranca është e vendosur për ta përfunduar sa më parë. “Ky vërtet është një shqetësim, por shqetësim që nuk varet nga PS. Ne kemi kohë që bëjmë thirrje PD-së të sjellë deputetët e saj në përbërjen të komisionit të Reformës Zgjedhore. Për vetë problematikën që tashmë dihet se kjo vonesë ka ardhur nga PD. Shpresojmë që deri këtu të ketë zgjatur vonesa dhe tani të fillojë puna për ndryshimet e Kodit Zgjedhor me konsensus të grupeve parlamentare”.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore dhe Ligjore, PS, Eridian Salianji ka zbardhur edhe synimet e PS në Reformën Elektorale.
Ai u ndal te vota e emigrantëve dhe tregoi variantin që preferon PS për përllogaritjen e mandateve të fituara prej tyre.
“Me ndryshimet e fundit ligjore u bë e mundur që emigrantët kanë të drejtë të votojnë. Është e drejta e shprehur në Kodin Zgjedhor. Ne mbetemi të hapur.
Ne kemi qenë promotorë sa i përket votës së emigrantëve. Mundet që emigrantët të kenë numrin e tyre të mandateve. Një opsion tjetër është zgjerimi i Tiranës, duke qenë vetë një zonë migratore. Pra, mbeten pa ndryshuar zonat zgjedhore, por ndryshon numri i mandateve.
Kjo nuk prek reformën territoriale. Thjesht llogaritet në cilin thes futet vota e emigrantëve. Variantet mbeten të hapura”, thotë Salianji
Identifikimi elektronik nxit propozimin për depolitizimin e komisionerëve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Procesi është automatik që i kthen partitë në vëzhgues. Kjo do ishte risia që komisioni për zgjedhjet lokale mundet ta marrë një vendim të tillë”, tha Salianji.
Një tjetër pikë e rëndësishme është dhe financimi i partive politike. Lidhur me këtë çështje, Eridian Salianji shprehet: “Në Kodin aktual zgjedhor janë bërë ndryshime ligjore sa i përket financimit të partive politike. Por do të jenë rekomandimet e OSBE-ODIHR ato të cilat do të ketë parasysh komisioni i reformës zgjedhore për të referuar sa I përket financimit të partive politike. Dhe është krijuar një praktikë tashmë se si partitë politike kontrollohen, se si partitë politike mundësojnë financimin e fushatave dhe kontrolli I tyre që bëhet nga KQZ. Kjo për mua është e lidhur dhe me Ligjin e partive politike. Pra kontrolli I partive politike sa i përket financimit, duhet të ecë paralelisht si me ndryshimet në Kodin Zgjedhor ashtu dhe në ndryshimet në ligjin “Për Partitë politike”. Zgjidhja përfundimtare e kësaj problematike në lidhje me financimin e partive politike duhet parë në themel në mënyrën e krijimit të partive politike dhe këtë e cakton ligji për partitë politike kurse Kodi Zgjedhor përcakton vetëm mënyrën gjatë fushatave elektorale. Që kjo të zgjidhet përfundimisht, këto patjetër duhet të shqyrtohen të dyja paralelisht dhe zgjidhja do të vijë përfundimtare”.