Oligarku i ‘Kodrës së Diellit’ Gentjan Sula që ka bërë pallatin e Monika Kryemadhit në Laprakë dhe Hamz Islamaj, në bashkëpunim me kupolën e korruptuar të Ministrisë Shëndetësisë, kanë vjedhur paratë publike me ndërtimin e Maternitetit Mbretëresha Geraldinë në Tiranë.
Abuzimi është skandaloz, i faktuar dhe i hapur, por deri më sot nuk ka një hetim nga SPAK.
Në 3 gusht 2020, Ministria e Shëndetësisë me në krye Ogerta Manastirliun ka shpallur tenderin me objekt “Rikonstruksion i godinave të Maternitetit Mbretëresha Geraldinë dhe ndërtim i ri 3 kat Tiranë”, me fond limit rreth 7 miliardë lekë.
Tenderi është paracaktuar për kompanitë BE-IS shpk të Hamz Islamajt si dhe për Agi Kons shpk të Gentjan Sulës, një kompani e lakuar për pastrim parash te Kodra e Diellit, pastrimin e parave të Ilir Metës dhe Erjon Veliajt, për tendera korruptivë dhe lidhje me pushtetarë dhe ish pushtetarë të korruptuar.
Islamaj dhe Sula, pasi dyshohet se kanë bërë një pazar me kupolën e korrupsionit në shëndetësi, kanë paraqitur një ofertë 466 395 123 lekë.
Oferta është anomalish e ulët sipas ligjit dhe si e tillë duhej të skualifikohej.
Por, kjo ofertë jo vetëm nuk është përjashtuar si anomalish e ulët, por me 27 tetor 2021, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Gelardina Prodani, ka shpallur fituese të tenderit kompanitë e Hamz Islamajt dhe Gentjan Sulës. Kjo është shkelja e parë penale që duhet të jetë objekt i SPAK-ut.
Po a mund të ndodhë që Hamz Islamaj dhe Gentjan Sula që të futen në një tender, me ofertë anomalish të ulët dhe të dalin me humbje?
Në fakt ka ndodhur një gjë tjetër edhe më e rëndë.
Sipas një dosje të KLSH-së që ka parë Prapaskena, Ministria e Shëndetësisë ka fryrë në mënyrë fiktive fondin limit të tenderit, me qëllim për të futur në kurth kompanitë e tjera, dhe për t’i dhënë tenderin dy oligarkëve sipas pazarit paraprak.
Afera ka nisur që nga shmangia e garës dhe mungesa e transparencës për realizimin e hartimit të projektit teknik për ndërtimin e spitalit të ri.
Në aktekspertizë, anëtarët e grupit nuk janë shprehur si ka qenë gjendja e godinave para dhe pas tërmetit, për rrjedhojë ndryshimet në preventivin teknik janë të paligjshme.
Nga ana tjetër, anëtarët e grupit që kanë hartuar aktekspertizën ishin në konflikt të interesi, pasi kanë qenë në të njëjtën kohë edhe anëtarë të grupit të hartimit të projektimit teknik.
Më tej, është shmangur përllogaritja e kostove për punimet ndërtimore sipas çmimeve të tregut, me qëllim për të vjedhur paratë.
Më tej, vjedhja ka vijuar me zërat kryesorë të punës.
Termo dhe hidroizolimi i pllakës së themelit dhe katit nëntokë, termoizolimi me polesterol, hidroizolimi me dy shtresa, gjeotekstil, shtresë mbrojtëse”, janë shënuar me çmimin 30,000 lekë/m2, kur në fakt çmimi real është 12,309 lekë/m2.
Me këtë lëvizje, janë vjedhur 140 milionë lekë. Vetëm ky fakt do të mjaftonte që SPAK të lëshojë urdhër-arrestet, pasi vjedhja është flagrante
Vjedhjet kanë vijuar me zërat e tjerë, në bashkëpunim me kupolën e korruptuar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Korrupsion në Kosovë
Gentjan Sula dyshohet se është pjesë e një afere korruptive me përmasa të mëdha në Kosovë, në bashkëpunim me
publicistin dhe shkrimtarin Veton Surroi.
Prokuroria dyshon se janë dhënë mbi 400 mijë euro ryshfet, për të korruptuar zyrtarë të Kosovës, për ndërtimin në mënyrë të paligjshme të një hoteli në Brezovicë.
Hoteli po ndërtohej nga kompania “Stella Consulting”, ku aksioner kryesor është pikërisht Gentjan Sula me 70 %, ndërsa Veton Surroi ka 30 % të aksioneve. Dosja konsiderohet si një nga aferat më të bujshme në Kosovë.
Gentjan Sula gati betonizimin e Farkës
Pas shkatërrimit të Kodrës së Diellit, ku ka korruptuar me vila pushtetarë tê tê gjitha krahëve, Gentjan Sula i ka vënë syrin Liqenit të Farkës, për ta pushtuar me ndërtime.
Prapaskena mëson se Sula e lejen e ka marrë ndërkohë nga Erion Veliaj, me të cilin ka lidhje të forta dhe të hershme, që kur gruaja e Gentjan Sulës, Gentjana Sula, ishte zëvëndësministre e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në 2014, kur Veliaj ishte ministër.
Zonjës Sula politika i ka besuar drejtimin e Autoritetit të Moshapjes së Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit.
Tendera abuzivë
Gentjan Sula ka marrë tendera me vlerë dhjetëra milionë euro, të dyshuar si korruptivë dhe në këmbim të ndarjes së 20-30 përqind të vlerës, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Drejtori i Spitalit të Kukësit, Bashkia e Tiranës, Bashkia e Krujës, Bashkia e Kolonjëd dhe Konispolit.
Gentjan Sula është klienti kryesor i Erion Veliajt.
Burime për Prapaskenën pohojnë se sekseri dhe njeriu që kalon pataratë e korrupsionit nga Gentjan Sula drejt kupolës së Bashkisë së Tiranës, është një drejtor i rëndësishëm dhe i besuar i Erion Veliajt.
Është e pabesueshme se si SPAK nuk e ka prerë ende këtë nyje korrupsioni.