Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në emisionin “Pikat mbi i” të moderatores Ola Bruko ka komentuar çështjen Dumani dhe rrëfimet e killerit famëkeq për disa nga vrasjet më të rënda që kanë ndodhur në vend.
Duke sqaruar se ky është krim i organizuar për vrasje me para, Ngjela tha se Dumani dhe kundërshtarët e tij e njohin njëri-tjetrin, por pyetja është se pse shteti i ka lënë kaq gjatë pa i arrestuar.
Teksa ka shtruar vetë pyetje “a ka vrarë politika?”, Ngjela ka hedhur dyshime se ish-ministri i Transporteve Sokol Olldashi dhe biznesmeni i lidhur me historinë e Gërdecit, Kosta Trebicka janë ekzekutuar nga vrasës me pagesë.
“Po politika a ka vrarë? Dy vrasje kemi ne që mendohet se i kanë bërë vrasësit me pagesë. Është Olldashi dhe ai, Trebicka. Dihet që janë vrarë ata nga vrasësit me pagesë. Të shkon mendoja po janë involvuar këta në këto dy vrasje se këta janë provuar që janë vrasës. Edhe Trebicka dhe Olldashi janë provuar që janë vrasje, se nuk është provuar si të ketë dalë ai kur ka rënë makina nga 40 metra.
A do vijnë këta tani në rrëfime të këtij lloji po si dimë ne se janë sekret. Duhet të shikojmë se deri ku kanë qenë të përfshirë. Po shiko se e njoh nga profesioni. Pentito kalon në delir dhe çfarë i ndodh. I duket se sa më shumë të dëshmojë, sa më shumë krime të tregojë sikur është më afër me shtetin. Dhe hetuesit duhet të jenë shumë të vëmendshëm se e kanë në natyre të tyre patologjike, se i duket vetja detektiv. Se kanë lidhje këta me njeri-tjetrin, vrasësit me pagesë e njohin veprimtarinë e njëri tjetrit.
Dhe ky sigurisht që i ka treguar të gjitha por këta s’po arrestojnë dot. Kjo mungesa e vigjilencës është lojë apo i kanë shpëtuar vërtet? Unë them se është lojë se këta i kanë në ndjekje permanente. Se janë hetuesit e huaj në këtë lojë. Se e di ça është bërë në precedentët botërorë, i kanë lënë 3-4 kokrra që të shikojnë se ku do shkojnë. Dhe këta kështu do i kenë lënë se shkojnë këta në një lagje dhe këta ikin nuk arrestohen”, tha Ngjela.