Në rrjet vijojnë spekulimet pas deklaratës së një gazetari se në dëshmitë e vrasësit të penduar Dumani, përmendet edhe Meta.
Sipas reporterit Artan Hoxha, Dumani ka thënë se Meta porositi vrasjen e Aleksandër Ndokës, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka.
SPAK, që ka marrë rrëfimin e Dumanit, e ka përgënjeshtruar deklaratën duke i kërkuar gazetarit të bëjë kujdes me ato që thotë për shkak të sensibilitetit të rrethanave.
Por Hoxha ka sfiduar duke thënë se është gati të publikojë gjithë dosjen “Dumani”.
Në këto rrethana, shumë media dhe portale vijojnë të hamendësojnë rreth arsyeve pse ish-kreu i LSI e më pas President i vendit, Ilir Meta do duhej të porosiste vrasjen e vëllait të një deputeti.
Një nga portalet shkruan se mes Kryemadhit dhe Aleksandër Ndokës ka patur një konflikt gjatë fushatës elektorale në Lezhë, ku LSI ka qenë përherë mjaft kërkuese.
Sipas këtij portali, Kryemadhi dhe Ndoka janë kapur me fjalë e më pas Ndoka ka qëlluar me shpullë Kryemadhin.
Për të vërtetuar këto deklarata DITA pyeti një nga miqtë e afërt të familjes Ndoka, nëse vërtetë ka patur një sherr me këto rrethana.
“Shpullë nuk di të ketë pasur. Por qe kane pas konflikt, po. Por kjo e ka share më parë. Nuk binte kollaj Sandri në llafe, se ishte me profil te qartë. Merrej me pajtim gjaqesh në zonen e Mirdites dhe ishte profesor per keto situata. Nuk bente gabime të tilla. Mbyllte muhabete te renda”, – janë fjalët e tij.
Nëse vërtetë Presidenti të cilit i mbaron afati në korrik është përfshirë në këtë krim, apo dikush ka shfrytëzuar konfliktin e të ndjerit me Kryemadhin, për të kryer krimin e për të fshehur autorësinë, kjo i mbetet vetëm një hetimi profesional për t’u zbuluar.