Teksa integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian ka ngecur për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj fqinjëve tanë lindorë dhe në kushtet kur rajoni i Ballkanit po kërcënohet çdo ditë nga influenca ruse sidomos pas deklaratës së bërë nga ish-ministri i Jashtëm i Rusisë, se Moska mbështet nismën “Ballkan i Hapur”, një zë i fuqishëm doli në krah të dy vendeve për integrimin në BE.
Gjatë një interviste ditën e djeshme me shërbimin maqedonas të “Zërit të Amerikës”, Zv.Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, Laura K. Cooper, theksoi se për Shtetet e Bashkuara, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duhet të përparojë me shpejtësi.
Zonja Cooper vlerësoi rolin udhëheqës të Maqedonisë së Veriut për përqasjen e procesit të integrimit nëpërmjet bisedimeve ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, nga të cilat ka rezultuar një dialog i dobishëm diplomatik mes dy vendeve. Por ajo megjithatë paralajmëroi se Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë ndasitë dhe të pengojë anëtarësimin në BE të këtyre dy vendeve, ashtu siç pati vepruar më parë me anëtarësimin në NATO.
Apeli i Copper: Rusia po përpiqet të fusë përçarje në rajonin e Ballkanit
Më tej zv/ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes përsëriti se në rajonin e Ballkanit mjetet që përdor më shumë Rusia janë në fushën e informacionit, ndërsa bën përpjekje të vazhdueshme për të ndikuar tek mediat që përgatisin lajmet dhe për të ndikuar tek mënyra se si njerëzit e perceptojnë politikën e jashtme të Rusisë, si dhe për të penguar punën e qeverive në rajon dhe për të mbjellë përçarje në popullatë.
Fatmirësisht, tha zonja Cooper, edhe Perëndimi ka aftësi për të vënë në përdorim me vërtetësi informacionin dhe për t’iu kundërvënë mjeteve dizinformuese të Rusisë. Po ashtu, zonja Cooper theksoi se në këtë kuadër merr vlerë të veçantë lufta kundër dezinformimit, që do të jetë një sfidë e vazhdueshme për të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe më gjerë në mbarë globin.
Ajo vlerësoi angazhimin e Maqedonisë së Veriut për t’u përballur me këtë sfidë, nëpërmjet krijimit të programeve konkrete, caktimit të burimeve të duhura, si dhe zhvillimit të një dialogu të drejtpërdrejtë me publikun dhe vendet aleate të NATO-s. “Nuk mund të ndreqet çdo pjesë dezinformimi. Kjo nuk është një mënyrë frutdhënëse.
Por, mund të jemi të qartë për drejtimin e duhur, si p.sh. të themi të vërtetën për atë që po ndodh në Ukrainë”, tha Zv.Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, Laura K. Cooper.
Rusia mendoi se lufta në Ukrainë do ta përçante NATO-n, por gaboi
E pyetur për pasojat që mund të kenë vende si Maqedonia e Veriut nga një reagim i mundshëm i Rusisë pas ndalimit të udhëtimit të ministrit të jashtëm rus drejt Beogradit, zonja Cooper vuri në dukje se pikërisht në këto momente, Rusia po përpiqet të rikthehet në pozita rëndësie në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku sipas saj, Rusia mendoi se lufta në Ukrainë do ta përçante NATO-n. Gjithashtu ajo tha se Rusia mendoi se lufta do ta ndihmonte në politikën e jashtme, por ajo u ndal nga humbjet që ka pësuar ushtria e saj gjatë 3 muajve në agresionin në Ukrainë.
“Dhe realiteti është se Rusia është më e izoluar se kurrë më parë. E pamë këtë në votimet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. E pamë këtë në sanksionet masive ndaj Rusisë, përfshirë masën më të fundit të ndërmarrë nga evropianët për të kufizuar importet energjitike nga Rusia…
Rusia mendoi se lufta në Ukrainë do të përçante NATO-n. Rusia mendoi se do ta ndihmonte të arrinte objektivat e politikës së saj të jashtme. Në fakt, ajo çfarë konstatoi Rusia është se ushtria e saj po turpërohet nga rezultatet e dobëta dhe metodat e vjetëruar”, tha zonja Cooper.