Halit Valteri ka sqaruar se nuk ka marrë asnjë lekë nga Edi Rama apo nga “bosët” e inceneratorëve për të denoncuar në SPAK presidentin Ilir Metën lidhur me skandalin e lobimit nga gazeta e madhe austriake, “Kronen Zeitung“. I ftuar në një studio televizive, Valteri është shprehur se qëllimi i tij është që t’i shërbejë shqiptarëve duke kërkuar drejtësi për ata njerëz që kanë shfrytëzuar detyrën për t’u pasuruar.
“Që ta kuptojnë dhe këta politikanë si Meta që nuk janë sulme as nga paratë e Ramës apo inceneratorëve, nëse gjeni 10 lekë të reja që jam paguar largohem, dhe nuk dal më”, tha Valteri.
Se çfarë kërkon nga kjo padi, Valteri e ka të qartë, të zbulojë se nga ku janë marrë 690 mijë dollarë të përdorura për lobimin nga LSI dhe Ilir Meta. Për këtë thotë se ka besim te drejtësia e re se do të zbulojë të vërtetën.
“Për këtë aferë nuk ka asnjë problem nëse pagesa do të ishte bërë nga banka apo LSI, po 690 mijë dollar janë shumë e madhe dhe mendohet se janë përfituar nga korrupsioni se askush nuk i shpenzon askush për 2 ditë në SHBA. Kam dorëzuar padinë dhe kamë kërkuar që të vihen përpara përgjegjësisë personat, ku i kanë marrë këto para LSI dhe Meta. Njerëzit kanë pritshmëri nga drejtësia e re dhe unë jam nga ata, unë kam besim që ato njerëz kanë njëfarë integriteti, janë njerëz që nuk janë rastësisht aty dhe një ditë do e nxjerrin frikën”, tha ai.
Megjithatë, ky denoncim i tij nuk do të ndalet vetëm me Metën.
“Do vazhdoj me denoncime, ministra aktual, drejtora akual, ish-ministra”, u shpreh Valteri.
Si një ish-deputet i PD-së, Valteri pati edhe një koment për partinë e tij, për të cilën e krahasoi me një Kështjellë, që dita-ditës po shkërmoqet.
“PD e ka mbyllur ciklin dhe misionin për të sjellë pluralizmin në shtëpi, çdo gjë është një kështjellë që po i shkërmoqet një tullë për ditë”, përfundoi ai.
Në 16 maj, gazetar e madhe austriake, “Kronen Zeitung” hapi faqen e pare ku akuzoi se presidenti Ilir Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inagurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump. Gazeta e njohur denoncoi edhe shpenzimet e tjera për lobim të çiftit presidencial, madje edhe ndërhyrjet e çuditshme estetike dhe të shtrenjta të Zonjës së Parë, Monika Kryemadhi. Meta mohoi të ketë lidhje me një lobim të tillë, ndërsa Kryemadhi u shpreh se po akuzohet për bukurinë që i ka falur nëna.