Dy drejtues të lartë të rrjetit social rus Vkontakte, i cili është i ngjashëm me Facebook, kanë ndërruar jetë të hënën pasi automjeti i tyre u përmbys në një lumë në Arktik.
“Daily Mail” shkruan se viktimat janë zëvendës CEO i kompanisë, Vladimir Gabrielyan, 39 vjeç dhe drejtori i marketingut, Sergey Merzlyakov, 44 vjeç. Ata ndërruan jetë në përpjekje për të kaluar lumin e rrëmbyeshëm Bolshoy Bugryanets, në veri të Rusisë.
Sipas mediave ruse, ata arritën të dilnin nga makina, por ndërruan jetë si pasojë e hipotermisë dhe temperaturave që ishin nën zero gradë. Ekipet e shpëtimit gjetën trupat e pajetë të dy personave në breg të lumit.
Ndërkohë, bashkëshortja e Gabrielyan, Elena dhe miku i tyre Sergey Olsevich, të cilët po lëviznin me një tjetër automjet, u përmbysën nga rrjedha e lumit, por arritën të mbijetojnë pasi ecën për rreth 25 kilometra deri në banesën e parë, ku kërkuan edhe ndihmën e autoriteteve.