Nga WOLFGANG MÜNCHAU
Pse po funksionon plani i Rusisë për përçarjen e Bashkimit
Është ende herët për të parashikuar rezultatin e luftës në Ukrainë. Për momentin Rusia duket se ka forcuar ndjeshëm pozitat e saj në frontin lindor, duke regjistruar suksese ushtarake të vogla. Dhe gjatë ditëve të fundit është bërë e qartë se Moska mund të jetë në gjendje të arrijë të paktën disa nga synimet e saj ushtarake.
Sabin Fisher, bashkëpunëtore në një institut gjerman mbi politikën e jashtme, flet për një skenar politik interesant por edhe shqetësues. Ajo vë në dukje se humori në Moskë ka ndryshuar. Kjo për shkak të llogarive politike që ka bërë Kremlini bazuar tek shpresa se vendet perëndimore nuk do të vazhdojnë edhe për shumë kohë me mbështetjen e tyre të madhe financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
Sa më shumë të zgjasë kjo luftë, aq më shumë do të lodhet Evropa. Deri në vjeshtë, pak para fillimit të dimrit të ardhshëm, prioriteti i evropianëve do të jetë sigurimi i gazit nga Vladimir Putin.
Në zbardhjen e bisedës telefonike midis kancelarit austriak Karl Nehamer dhe Vladimir Putinit, pala ruse afirmon se ky i fundit ka rikonfirmuar detyrimet kontraktuale të Rusisë në lidhje me furnizimet me gaz. Kur i telefonoi kryeministri italian Mario Dragi, Putin shkoi edhe më tej: ai garantoi furnizime të sigurta me gaz natyror për Italinë me çmimet e vendosura sipas kontratave të nënshkruara.
Putin merret një nga një me liderët e BE-së. Në këtë aspekt ai nuk ka ndryshuar shumë. Ideja e ndryshimit të prioriteteve duket si një llogaritje e arsyeshme nga Kremlini. Por Fisher shkon më tej duke i kombinuar këto vëzhgime, me ndryshime të mundshme politike tek vetë Ukraina, në një kohë që lufta po zgjat akoma.
Në rast se Moska do të arrijë të mbajë plotësisht të pushtuar Donbasin për një kohë të gjatë, ajo mund të ndihet e inkurajuar të sulmojë dhe rrethojë Odesën dhe ndoshta edhe Kievin. “Rusët mund të mbështeten edhe tek destabiliteti politik në Ukrainë, që mund të sjellë edhe rrëzimin e qeverinë Zelenski.
Pasi një disfatë në Donbas dhe ndoshta aneksimi i territoreve të pushtuara, do ta bënte atë shumë të papëlqyeshme në pjesën tjetër të Ukrainës”- shkruan ajo. Komentet e saj i drejtohen kryesisht qeverisë gjermane, dhe refuzimit të kësaj të fundit për të furnizuar me armë Ukrainën.
Olaf Sholc po luan një lojë të dyfishtë, duke pretenduar se është mbështetës i Ukrainës. Së fundmi, ai mbajti një fjalim televizive drejtuar ukrainasve, në të cilin u pohoi se Gjermania është në anën e tyre.
Njëkohësisht, qeveria e tij po vonon shumë dërgesat e premtuara të armëve. Gjermania nuk i ka dërguar Kievit asnjë armë që nga marsi. Komentet e tij i drejtohen ndoshta mediave syleshe gjermane, që janë gjithnjë pro-qeveritare, pavarësisht se kush është në pushtet.
Por për cilindo që e shikon nga jashtë situatën, sidomos nga Ukraina, loja që po luan Sholc është mjaft e qartë. Qeveria gjermane po i jep përparësi marrëdhënieve të saj tregtare me Rusinë – siç ka bërë gjithmonë, në një kohë që pretendon se qëndron në krah të Ukrainën si pjesë e konsensusit të BE-së dhe NATO-s.
Është loja e dyfishtë e vjetër lindje-perëndim, të cilën Gjermania ka luajtur që nga koha e kancelarit Vili Brand. Rusët po përpiqen që Bashkimi Evropian të rikthehet në statuskuonë e tyre politike: një dobësi e shkaktuar nga ndarja midis shteteve anëtare.
Tani imagjinoni për një sekondë sesi do të zhvillohej ky skenar në BE, në rast se Rusia do të aneksonte Donbasin dhe do të merrte edhe Odesën. Akuzat politike brenda BE-së do të bëheshin të padurueshme. Marrëdhënia midis vendeve të Evropës Lindore dhe Gjermanisë, është sot më e keqe se kurrë më parë.
Ajo do të përkeqësohej me tej nëse Ukraina do të mposhtej nga Rusia, qoftë edhe pjesërisht. Akoma më shumë njerëz në Evropën Lindore, do të pyesnin veten nëse është në interesin e tyre të jenë pjesë e një bashkimi që drejtohet kryesisht nga interesat tregtare të Gjermanisë.
Si anëtarë të NATO-s, ata nuk kanë nevojë për BE-në për sigurinë e tyre.
Përkundrazi, anëtarësimi në BE i lidh ata me politika, që mund të jenë të dëmshme për interesat e tyre të sigurisë. Merkantilizmi gjerman është një qasje e paqëndrueshme. Ose politika gjermane duhet t’i japë fund asaj, për të cilën nuk po tregon asnjë shenjë se do ta bëjë këtë, ose do të çojë në copëtimin e BE-së.
Shënim:Wolfgang Münchau, ish-bashkëredaktor i Financial Times Deutschland dhe drejtor i portalit Eurointelligence./CNA.al