Kombëtarja shqiptare ka mbyllur ditën e 7 të përgatitjeve për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve ku fillimisht më 6 qershor në transfertë do përballet me Islandën.
Lajmi i mirë është se Broja ka lënë pas COVID-in dhe ka nisur të stërvitet veçmas, ndërsa në ditët në vijim pritet të mbërrijë në grumbullimin e kombëtares.
Sa i takon kundërshtarit të ardhshëm, Islandës, kuqezinjtë kanë një bilanc negativ. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në 2004 kuqezinjtë që drejoheshin nga Brigel fituan në miqësore me rezultatin 2-1, ndërsa në dy sfidat e radhës për kualifikueset e Botërorit 2014 Islanda ia doli në të dyja rastet po me shifrat 2-1.
Fitoren e tretë kundër Shqipërisë Islanda e mori në 2019 teksa mposhti kuqezinjtë 1-0 në Rekjavik për kualifikueset e Europianit, ndërsa 3 muaj më pas të besuarit e Edy Reja-s u hakmorën në ‘Elbasan Arena’ 4-2. Pra në total janë zhvilluar 5 ndeshje, 3 janë fituar nga Islanda dhe 2 nga Shqipëria.
“Për mendimin tim dhe të skuadrës jemi favoritë. Ne shpirtërisht mendojmë se kemi çdo mundësi të fitojmë dhe mund ta konfirmoj se kemi vullnetin jo 100, por 200% për të dhënë maksimumin dhe për të arritur vendin e parë për të kaluar në Ligën A ku kemi kundërshtarë shumë të fortë,”-u shpreh Frederik Veseli, futbollist i Kombëtares.
4 ditë pas ndeshjes me Islandën, me 10 qershor kuqezinjtë presin Izrealin në ‘Air Albania’ po për Ligën e Kombeve.