“Stampa Sera” ka botuar, të mërkurën e 11 janarit 1978, në faqen n°22, intervistën ekskluzive të gazetarit Lamberto Antonelli me aktorin e famshëm shqiptar Bekim Fehmiun, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Nga Lamberto Antonelli
Romë – A ju kujtohet Bekim Fehmiu, Uliksi magjepsës i televizionit? Do ta shohim së shpejti, gjithmonë në TV, por kësaj here në rolin e një personazhi të Pirandellos. Në fakt, ai është një nga aktorët kryesorë të një skenari me pesë pjesë, me regji të Marco Leto-s, bazuar në romanin “I vecchi e i giovani – Të moshuarit dhe të rinjtë” i Luigi Pirandello-s.
Kështu që, gati dhjetë vite më vonë (“Odisea” e Franco Rossi-t daton që nga viti 1968), Fehmiu, i cili bëri të flitej shumë për të, kthehet në shtëpitë tona në një rol krejt të ndryshëm. Pse pas kaq shumë kohësh? Aktori beson se nuk ka pasur raste të tjera. Tani ai luan rolin e Aurello Costa-s, një njeri i zakonshëm i adoptuar nga bankieri Salvo dhe i cili me ndihmën e tij bëhet inxhinier. Ai bie në dashuri me Nicoletta Spoto-n, ikën me të dhe së bashku ata vdesin gjatë një trazire siçiliane.
“I vecchi e i giovani – Të moshuarit dhe të rinjtë” është një roman historik dhe ideologjik, i shkruar në 1909, ku ngjarja zhvillohet në Siçili në kohën e Giolitti-t. A ishte e lehtë të përqendrohej në pesë episode nga një orë për secilin ?
“Faktikisht me romanin, regjisori mund të kishte bërë një skenar shumë më të gjatë, prej dhjetë apo njëzet orësh. Ai duhej të bënte zgjedhje dhe, me sa di unë, Pirandello gjithashtu është interpretuar lirisht”.
Meqenëse personazhet janë të shumtë dhe komploti është kompleks, cilën rrugë ka zgjedhur regjisori për ta thjeshtuar veprimin dhe për ta bërë atë më të kuptueshëm për audiencën e televizionit?
“Rrëfehen fitoret e dy familjeve në dy histori që kryqëzohen. Familja e princit Laurentano (i luajtur nga aktori francez Alain Cuny) dhe familja e bankierit Salvo (i luajtur nga Gabriele Fersetti) të cilës unë i përkas. E para është në rrugën e saj drejt fundit, ndërsa e dyta është në rritje”.
Situata na kujton “Il Gattopardo” të Tomasi di Lampedusa, ku shtëpia e princit të Salinës po degradohet dhe ajo e Don Sedara-s po afirmohet dhe ka një martesë midis dy familjeve.
“Ka gjithashtu një martesë midis dy familjeve në romanin e Pirandello-s, pra edhe këtu, bashkimi midis dy familjeve përfaqëson kalimin e pushtetit nga familja aristokrate në atë borgjeze. Me pak fjalë, aristokracia i lë vendin borgjezisë, por që tranzicioni të mos jetë shumë i papritur, ekziston ndërmjetësimi i një martese”.
A është e vërtetë që një vepër e tillë korale kërkon një përpjekje të konsiderueshme, jo vetëm artistike, por edhe financiare?
“Shumë të lartë. Unë e kuptoj që kostoja totale është rreth një miliard. Por nëse do të ishte bërë me sistemin kinematografik dhe jo me atë më të matur të televizionit do të kishte kushtuar shumë më tepër, ndoshta dy herë më shumë. Të gjithë, nga teknikët te aktorët te regjisori, kemi ulur pretendimet tona (për pagesën). Duhet të keni parasysh se ekziston një kast mbresëlënës: 54 aktorë”.
Ai, në skenar, është i lidhur me Nicoletta Spoto-n. Kush e luan këtë rol ?
“Është një aktore e re angleze, Stephanie Beacham, të cilën, regjisori pas kërkimeve të gjata, e gjeti në një libër vjetor të filmit britanik.”
Nicoletta është një vajzë siçiliane. Atëherë, përse të zgjidhej një angleze ?
“Është një pyetje që duhet t’i drejtohet regjisorit. Në çdo rast, unë e kuptoj që Stephanie plotëson kërkesat : ajo është e re dhe e shkathët, për mua është një zgjedhje e mirë”.
A e njihnit romanin e Pirandellos?
“Jo. Në fillim lexova skenarin dhe më pas, gjatë xhirimeve, desha gjithashtu të lexoja romanin, por për njohuritë e mia personale”.
Dhe sipas jush, a ndryshon skenari nga romani?
“Ka një interpretim shumë të ndryshëm, edhe nëse shpirti, personazhet dhe vendosja (ambienti) janë të njëjta. Marco Leto duhej të hollohej shumë, të hollohej dhe të thjeshtohej, për ta bërë historinë (ngjarjen) moderne dhe më televizive”.
A kishte ndonjë vështirësi me trashëgimtarët e shkrimtarit dhe dramaturgut për transferimin (dhënien) e të drejtës së autorit?
“Ky nuk është një fakt që ka të bëjë me mua drejpërdrejt. Por kam dëgjuar se ka pasur vështirësi fillestare”.
Ka nga ata që argumentojnë se bëhet fjalë për pretendime ekonomike të larta.
“No comment”.
A ka ndonjë ofertë tjetër pune për ju në Itali?
“Për momentin, jo. Por shpresoj të vijnë. Të mos kalojë aq shumë kohë sa midis Homerit dhe Pirandellos”.
Nga Aurenc Bebja, Francë
Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania/Telegrafi