Italisë i ka rënë petku i kampiones. Fakti që nuk u kualifikua në Botëror mbështetet dhe nga hhumbja e djeshme ndaj Argjentinës duke konfirmuar se është në krizë loje e rezultati.
Mbrëmë në “Wembley” të Londrës, Italia dhe Argjentina luajtën një finale mes tyre, quajtur “Finalissima”, ku italianët vinin si fitues të Europianit e argjentinasit si fitues të kupës së Amerikës së Jugut (Sudamericana).
Fituan bindshëm argjentinasit me rezultatin e thellë 3-0, ku Mesi dha dy asiste, por mjaftueshëm si lider për të marrë trofeun. Skuadra nga Amerika Jugore dominoi të gjithë sfidën, me Lionel Mesin që kërkoi të gjente rrugën drejt rrjetës në minutën e 28-të, por goditja e tij u ndal nga Donnarumma.
Vetëm pak sekonda më pas kapiteni i Argjentinës do të asistonte Lautaro Martinez, me këtë të fundit që e dërgon topin mjaft lehtë në rrjetë dhe zhbllokoi rezultatin. Goli i dytë dhe i sigurisë për “bardhekaltërit” erdhi në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë, kur Lautaro merr topin në mesfushë dhe afrohet te porta e Italisë, ku i shërben Di Marias, me këtë të fundit që e dërgon topin në rrjetë dhe dyfishon avantazhin e argjentinasve.
Italia rrezikoi të pësonte golin e tretë, ose më saktë të pësonte një autogol në minutën e 56-të, kur Bonuçi e dërgoi topin për te Donaruma pasi ndal Di Marian, por portieri i italianëve për pak desh e humbi atë pasim. Në fraksionin e dytë Italia u mundua të ishte më kërkuese, por pa rezultat, pasi Argjentina do të trefishonte rezultatin në minutën e 90+4, me Paulo Dibala, i cili kishte vetëm tre minuta në fushën e lojës, por arriti të gjente rrugën drejt rrjetës pas një asisti nga Mesi. Kështu pas fitores me Italinë, Argjentina hyn në histori si kampionia e parë e “Finalissima”-s.
Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme emocionues ishte takimi mes Ukrainës dhe Skocisë, në kuadër të “play-off”-it për Botërorin “Katar-2022”, fituar nga ukrainasit 3-1.
Skuadra e drejtuar nga Oleksandr Petrakov zhbllokoi sfidën në minutën e 33-të, kur sulmuesi Jarmolenko shfrytëzoi një asist të fantazistit të Atalantës, Malinovskit dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Gordon.
Edhe pjesa e dytë nisi mjaft mirë për Ukrainën, që në minutën e 49-të dyfishoi epërsinë me anë të sulmuesit kryesor Yaremçuk. Vendasit ngushtuan në të 79-ën. Por në minutën e fundit shtesë Ukraina zbriti në një kundërsulm të shpejtë dhe shënoi edhe golin e tretë me anë të sulmuesit Dovbik. Sfida e radhës e Ukrainës do të jetë sërish në Mbretërinë e Bashkuar, këtë herë përballë Uellsit në finale.