Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla po zhvillon një vizitë zyrtare në Berlin. Paraditen e djeshme kryeparlamentarja Nikolla u prit nga Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas.
Presidentja Bas dhe Kryetarja Nikolla diskutuan mbi ecurinë e bashkëpunimit dypalësh e parlamentar, procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin rajonal dhe ndikimin e luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor.
Kryetarja Nikolla nënvizoi se Shqipëria dhe Gjermania kanë një bashkëpunim të shkëlqyer politik. I tillë është edhe bashkëpunimi intensiv midis Kuvendit dhe Bundestagut. Po ashtu, Nikolla e njohu Presidenten Bas me arritjet e Shqipërisë në plotësimin e rekomandimeve të Këshillit Evropian dhe të Bundestagut, duke u përqendruar në reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, mbrojtjes e respektimit të të drejtave themelore të njeriut e të pakicave, reformën e administratës publike, etj.
Ndërkohë nga ana e saj presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas falënderoi Kryetaren Nikolla për vizitën dhe vlerësoi lidershipin e saj në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.
“Shqipëria i ka plotësuar kushtet dhe rekomandimet për procesin e integrimit dhe Konferenca e Parë Ndërqeveritare duhet të mbahet menjëherë. Keni mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të Gjermanisë, Bundestagut dhe timen. Kur një vend i kryen detyrat, është detyra e BE-së të marrë menjëherë vendimin për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare.
Ju po vijoni me avancimin e reformave dhe qeverisjen e mirë dhe Bundestagu ju inkurajon të vazhdoni kështu. Bundestagu është gati të ndihmojë Kuvendin me ekspertizë për rritjen e transparencës, llogaridhënies, mbikëqyrjes parlamentare, funksionimit të komisioneve hetimore dhe modernizimit të shërbimeve parlamentare”, deklaroi Bas.
Në përfundim të takimit, zonja Nikolla e ftoi Presidenten Bärbel Bas për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Presidentja Bas e pranoi me kënaqësi ftesën dhe premtoi se do të vijë sa më shpejt në Shqipëri.