E detyroi dhe e “gozhdoi” Kryeministrin kjo Ambrozia sepse nuk ka parë (e kurrë mos paftë) kryeministër që të hap trutë mu në mes të rrugës, që të zhduk e të bën ushqim për peshqit, që të ve dinamitin në fyt e të hedh në erë me gjithë lecka.
Nga Bardhyl Ermini
“Kemi një ministër që është në arrest për trafik droge dhe një tjetër që akuzohet se i ka krijuar mundësi te vellait… A nuk keni njeri tjetër për ministër të Brëndshëm që nuk ka njerëz të lidhur me drogën?”. Kjo është në esencë pyetja dhe “sugjerimi” i bërë nga gazetarja e re Ambrozia, kryeministrit, në konferencën e tij të shtypit, e cila e ka “gozhduar” atë e njëkohësisht ka ngazëllyer aq shumë një pjesë të mirë të medjas e të analistëve tanë.
Kjo pyetje, për mendimin tim është tepër e rëndë, apo më mirë antidemokratike. Pavarësisht nga forma, në përmbajtje ajo nuk e mer aspak parasysh faktin e “prezumimit te pafajësisë”, e kalon këtë proçes të rëndësishëm si pa gjë të keq, duke shkelur në mënyrën më flagrante të drejtat më elementare të njeriut, pavarësisht se kush është e ç’pozitë shoqërore apo zyrtare mban.
Në rastin e dy personazheve të përfolur, Tahiri e Xhafa, jemi të ngopur deri në fyt me akuzat, për të cilat opozita nuk ka kursyer kërkënd. Kështu që kjo pyetje studentësh që mësojnë përmendësh leksionet e profesorëve analistë, as nuk i shton e as nuk i heq gjë reputacionit të zotërinjëve në fjalë.
Ajo është një pyetje në esencë e politizuar dhe zoti Rama kishte të drejtë në reagimin e vet se pyetja është propagandë.
Shikoni se ç’ndodh! Kaq shumë janë sulmuar këta dy drejtues, kaqë shumë janë nëpërgojuar, kaq shumë janë anatemuar e kaqë shumë janë etiketuar si persona të lidhur me mafien e drogës sa është harruar se ata janë në një proçes hetimor, prej të cilit mund të edhe të dalin krejtësisht të pafajshëm; e për fat të keq shoqëria jonë do të gjëndet tamam në ato pozitat e atij budallait që ju mbush mendja se ishte kokër misri, e kur mjeku e “bindi” për të kundërtën, ai megjithatë largohej i tmerruar kur shikonte gjelin prej frikës se “mirë mua m’u mbush mendja se nuk jam kokër misër, po gjeli se, gjeli a e di këtë punë?”
Lexojeni atë gazetarin “investigativ” Olldashin, se si e ka realizuar “investigimin e tij të guximshëm” që lidhet me bisedën e atij “dëshmitarit x”, me vëllain e ministrit. Bobolja ka deklaruar se regjistrimin e kasetës të zërit nuk di se kush e ka bërë. Këtë regjistrim e kam marë vesh vetëm pasi medjat kanë publikuar bisedën, dhe edhe këtë e kam marë vesh nga të tjerë, që i thanë djalit tim se “babai yt është bërë i njohur”. Kurse “investigativi” thotë fare shkoqur se “i mora pajisjen e regjistrimit të bisedës që i kisha dhënë”.
Po të kisha gjë në dorë, unë me kaq do ta mbyllja këtë histori dhe ose “do ta haja turpin me bukë” ose do t’u kërkoja falje krejt qytetarëve për shqetësimin që ju krijova. Po kush të tërhiqet? Kush të kërkojë falje? Të vdekurit? Jo vetëm që nuk tërhiqet kërkush, por “rinia heroike” e pushtetit të katërt kërkon medomosdo përgjigje për pyetjen se pse Ministri i Brëndshëm i sotmi i krijon mundësi të vëllait për trafik droge.
Pushteti i katërt shqiptar kështu, pushteti që duhet të ngrihet në alarm i gjithi kur vendin e kërcënon si kur ndonjëherë një destabilitet i tillë që e fut krejt shoqërinë në një amulli të tëmerrshme, të projektuar nga banditët e 97-ës, puçistët e 98-ës, sabotatorët e U.Ç.K.-së, kriminelët e “Gërdecit”, piratët e “rrugës të Kombit”, hajdutet e tenderave, vrasësit e “Bulevardit”.
Pushteti i katërt kërkon se “a nuk mund të gjëndet një ministër tjetër, ndryshe nga ky që është arrestuar për trafik droge”? Prangat mbërthehen më parë se i tringëllin ato gardiani. Pothuajse të gjithë, me bythët vënë në poltronat e studjove harbojnë e gogësijnë pas sajesave. Media e mjerë, pushtet që që e ka lidhur veten e vet vetëm pas kockave të thyera e të grryera të demokracisë të shëmtuar shqiptare.
Eh sa thjeshtë është sot të sulmosh Edi Ramën, ta shash atë deri edhe nga nëna, t’i përdhosësh atij kujtimin e të jatit të vdekur, ta quash atë si të vjen e mbara. “Kurajoze ëjo Ambrozia, shkruan një delirant, kjo guximtare që detyroi Kryeministrin me harbut, me rrugac, e me bandit te Europes… ..te ike me bisht nder shale e si i dhjere”.
E detyroi dhe e “gozhdoi” Kryeministrin kjo Ambrozia sepse nuk ka parë (e kurrë mos paftë) kryeministër që të hap trutë mu në mes të rrugës, që të zhduk e të bën ushqim për peshqit, që të ve dinamitin në fyt e të hedh në erë me gjithë lecka.
“Është dita e Ambrozias sot”, festojnë shumë të tjerë nga ata që “ndajnë lekët” andej nga vilat e periferive, e Ambrozia harron se përpara ka një Kryeministër që i dridhet zëri nga emocioni por nuk i ve zjarrin e ta kthej në shkrumb medjan e saj, ka një kryeministër që përdor ironinë e sarkazmën, por nuk i thyen kokën kërkujt me levë hekuri, ka një Kryeministër që mërzitet e lëshon ndonjë batutë, por nuk i shkon në mendje se nga ai pozicjon mund të shahet një femër, nënë apo motër qoftë, deri prostitutë.
Eh… Ambrozia e ka në terezi! Keq e kemi ne qytetarët që kemi mbetur në mes të rrugës e presim. Presim se kur do të vihet drejtësia në këtë vend, kur do të pastrohet shteti nga hajdutët e vrasësit e kur në krye të tij do të zgjedhim atë që meritojmë, atë që e di se këto kërkesa vinë vetëm kur lufton për to.