Rezolutën për dënimin e gjenocidit, të cilën e propozoi para një kohe Partia Demokratike përmes Sali Berishës, dhe projekt-rezoluta e fundit e propozuar përsëri nga PD për të dënuar gjenocidin në Kosovë, nuk janë hartuar fare nga kjo Parti Demokratike.
Indrit Vokshi, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së në kohën e hartimit të rezolutave dhe bashkëpunëtor në hartimin e tyre, tregon për Albanian Post se “rezolutat, si për gjenocidin në Bosnje, ashtu edhe për gjenocidin në Kosovë janë hartuar në shtator e tetor të vitit 2021 sapo ishte çelur sesioni i Parlamentit të Shqipërisë” dhe “nuk janë hartuar sot e së fundmi”.
Vokshi thotë se gjithçka ndryshoi me zhvillimet e fundit në PD dhe ardhjen e Berishës prapa në parti.
“Tash së voni, pasi Sali Berisha shkoi e u akomodua në selinë e PD, disa njerëz ia dorëzuan edhe rezolutat në fjalë, të cilat nuk i përdori për qëllimet për të cilat ne i hartuam”.
Ideja e rezolutave, siç shpjegon Vokshi, ishte “riformulim në nivel tjetër i politikës së PD-së për atë çfarë duhet të jetë Ballkani nesër”.
Por Berisha, me të marrë partinë, “i përdori për nevojat e veta politike”.
“Cilat ishin këto nevoja? Meqenëse Partia Socialiste me qëllim për të njësuar qëndrimin me SHBA, deklaroi se nuk njohim z.Berisha pasi është nongrata, nuk negociojmë me të e nuk pranojmë asnjë nismë të tij, Berisha propozoi rezolutën mbi Bosnjën vetëm për konsum ditor politik, që Partia Socialiste të mos e pranonte dhe Berisha mandej t’i denonconte si mbrojtës të gjenocideve”, shpjegon Vokshi për AP.
Partia Socialiste, nga ana e saj, deklaroi se do ta votojë një rezolutë për Bosnjën, por jo në momentin kur i duhet Berishës, por më 11 korrik, në përvjetorin e Serbrenicës.
“Pra, e gjitha ajo zhurmë ishte një përdorim i rëndomtë i rezolutave nga ana e z. Berisha, i cili, nga njëra anë akuzon lidershipin e PD si pengje të Edi Ramës dhe Soros, mandej rezolutat e njerëzve që akuzon për pengje i merr dhe i paraqet për votim”.
“Kjo është e vërteta e rezolutave dhe e zhurmës pas tyre. Kemi një politikan, i cili e shkakton gjithë këtë zhurmë dhe e paraqet Parlamentin e Shqipërisë, qoftë edhe për pak kohë derisa të votohen rezolutat, si parlament që nuk pranon të dënojë gjenocidin. Nuk i ka interesuar kjo. I ka interesuar vetëm t’u thotë ndjekësve të tij se ai është patrioti e të tjerët tradhtarë. Për këtë qëllim ka njollosur Parlamentin e Shqipërisë”, thotë Vokshi.