Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Bujar Çela ka folur në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe zhvillimet politike, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të kreut të shtetit në ikje, Ilir Metës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ai ka shpjeguar se mazhoranca ka detyrë t’i japë shqiptarëve një president, i cili është më i mirë se ai aktual, të cilin ligjvënësi Çela e quajti modelin më të keq të mundshëm. Madje Çela shprehet i bindur se Meta dhe Berisha do të jenë shokë burgu. Sipas tij, binomi Meta-Berisha se janë hipopotamë të korrupsionit dhe krimit, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që SPAK të godasë me zero tolerancë të korruptuarit.
Po ashtu, socialisti Çela ka refuzuar kategorikisht Sali Berishën dhe Rithemelimin e PD në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Ndërkohë që “Rithemelimi” përcaktoi një trupë negociues për kreun e ri të shtetit, Çela shtoi se PS nuk njeh asnjë kërkesë që vjen nga ai drejtim. Ai theksoi se nga Berisha nuk do të pranonte një mendim as për të vënë një hu gardhi në fund të Lanës.
-Zoti Çela, jemi në kulmim e procesit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Shqipërisë, por duket se konsensusi mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demorkatike për të gjetur pasuesin e Ilir Metës në krye të Presidencës shqiptare është larg. Edhe dje nga Kuvendi i Shqipërisë “nuk doli tym i bardhë”, pasi u ezaurua raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri pa kandidatë. Keni një koment?
Shiko të jeni të bindur se ne nuk do ta lëmë vendi pa president. Dëshira jonë është të dialogojmë me gjithkënd që dëshiron që bashkë me ne të ndajë përgjegjësinë e zgjedhjes së presidentit. Askush nuk mund të marrë peng procesin e zgjedhjes së presidentit. Kemi qenë në gatishmëri për të bashkëpunuar për zgjedhjen e presidentit, por kemi hasur në kundërshtimin e opozitës, e cila është shfaqur më shumë se kryeneçe.
Këtu e kam fjalën për Partinë Demorkatike reale dhe jo atë të “non gratës”. Kështu që nga kjo pikëpamje ne e kemi një detyrë kushtetuese të bëjmë vendin me një president shumë më të mirë se ai që kemi pasur. Modeli më i keq pas Sali Berishës ka qenë Ilir Meta. Të gjithë presidentët e tjerë kanë qenë më të mirë se këta të dy. Moisiu ishte shumë gjithëpërfshirës, edhe Mejdani, edhe Nishani (ndjesë pastë) pavarësisht se ishte partiak u tregua shumë më u kujdesshëm në ekuilibrat politike.
Ka ardhur koha të kemi një figurë të ngjashme me Moisiun pa interesa politike. Dua të shoh në Presidencë një njeri që respekton traditat tona, palët politike dhe jep mesazhet e duhura si figurë që u tregon unitetin e kombit. Për mua nuk ka rëndësi nëse është president apo president, kemi mjaftueshëm figura në 2 gjinitë që e bëjnë shumë mirë këtë punë.
-Dakord dhe si gjithmonë jeni shterues. Por meqenëse nuk po gjeni gjuhën e përbashkët me Partinë Demorkatike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, pse nuk bashkëpunon me “Foltoren” për të zgjedhur pasuesin e Ilir Metës?
E përjashtoj kategorikisht si të klasifikueshëm “non gratën” e madhe dhe shpurën e tij. PS nuk do të njohë në asnjë rast asnjë vendim dhe asnjë kërkesë që buron nga ai drejtim. Ai është drejtim me të cilin politika e PS nuk duhet të ketë asnjë lidhje. Ne s’do të kemi asnjë lidhje. Të hidhen përpjetë. Ne nuk do të njohim asgjë që do të burojë nga ai burim i së keqes së madhe.
Jo për presidentin, por as për rojen e cilësdo godinë, por as për një hu gardhi për ta vënë në fund të Lanës. Me shumë keqardhje për ata që i shkojnë mbrapa verbërisht asaj shpure. Ajo non gratë është gurë në qafën e Shqipërisë. Ata që i shkojnë pas tërheqin gurin për poshtë. Por ne nuk do ti lejojmë. Ne e shporrëm në 2013 dhe nuk ka shans të rikthehet më.
-Si ju duken thirrjet e kryeministrit Edi Rama dhe eksponentëve më të lartë të Partisë Socialiste për të hetuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta?
Të drejta dhe madje shumë të drejta.
-Në 19 maj të vitit që shkoi, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi e akuzon si të përfshirë në korrupsion dhe minim të demokracisë. Keni një koment?
Departamenti Amerikan i Shtetit i dha Sali Ram Berishës atë që meritonte. Sali Berisha nuk shkon dot në parajsë çdo pretendim dhe lehje pasi është shpallur “non grata” sa më shumë mundohet të lëviz, më thellë do t’i hyj problemeve dhe do të zhytet në batak. Berisha nuk solli asnjë ditë demokraci gjatë kohës që ishte në pushtet, por vetëm mendoj për klanin e tij dhe konsumoj qindra krime monstruoze, duke minuar çdo demokraci qe është munduar të instalohet në këto 30 vjet që nga matanë detit!
– A rrezikon që akuzat e amerikanëve të vënë në lëvizje SPAK dhe ndaj Sali Berishës të nisin hetime?
Prokuroria besoj se e ka të qartë detyrën se si duhet të veprojë me politikanët që kanë vjedhur e grabitur pasurinë publike dhe me ata që i kanë duart e lyera me gjak si Sali Ram Berisha. SPAK është strukturë e ngritur nga SHBA-BE dhe me votën tonë në Parlament, kështu që s’ka nevojë t’i japim këshilla, por duhet ta izoloje dhe arrestoj Sali Berishën si virusin më rrezikshëm të shekullit. Pasi te beje këtë veprim do ta ketë shumë të lehte dhe të shpejtë kryerjen e misionit të saj me shokët e tjerë të Sali Berishës.
-Po presidenti Meta a rrezikon të ketë fatin e Sali Berishës si në raport me amerikanët, ashtu edhe me drejtësinë?
Ilir Meta është kopje e Sali Berishës. Kështu që sa për fatin e Ilir floririt ata e kanë rrugën te njëjtë dhe të pa ndarë me bashkëpunëtorin e tij shokun Sali, duke i bërë njëri-tjetrit shoqëri në burg. Ndërkohë lidhur me raportet me amerikanët, mendoj se edhe Meta do ketë fatin e Berishës, duke u shpallur “non grata”, pasi përveçse është zhytur në batakun e korrupsionit, ai i shpalli luftë amerikanëve, duke sulmuar si rrugaç ambasadoren e SHBA. Pra, si përfundim unë mendoj se viti 2022 do e gjejë Ilir Metën përpara SPAK për të dhënë llogari për floririn që vodhi dhe bllokun 700 mijë euro!
– Së fundmi në Shqipëri duket se ka trokitura koha e pandëshkueshmërisë. SPAK ka vënë në pranga disa zyrtarë të lartë si ish-ministra dhe ish-deputetët. Si ju duket kjo fushatë arrestimesh?
Unë vazhdoj të kem besim për të gjitha strukturat e reja të drejtësisë se do japin drejtësi dhe ndëshkim për këdo! Ndërkohë me falni por guxoj t’iu korrigjoj se kjo nuk është fushatë arrestimesh dhe drejtësi nuk vendoset me fushata, ajo punon çdo ditë dhe pa ndërprerje. Kështu që çdo punë do kohën e vetë, krimi është sofistikuar dhe i shtrirë në të gjitha fushat!
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se PS nuk do jetë mburojë për zyrtarët e saj dhe sipas tij, kush futu duart në fondet publike dhe taksat e qytetarëve, do të përballet me SPAK. Si ju duket kjo deklaratë?
Kryetari i PS, njëherësh kryeministri Edi Rama vazhdon me qëndrimin rigoroz dhe të ripërsëritur për të mbështetur reformën në drejtësi dhe pa marrë nën sqetull askënd dhe ne veçanti abuzuesit me pushtetin. Ne si PS kemi lënë imunitetin tonë dhe s’kemi asnjë arsye t’i japim imunitet kësaj kategorie, secili para drejtësisë te përballet vetë!
– Drejtësia ka filluar të lëvizë, ku dosje të bujshme si “21 Janari” janë rihapur. Keni një koment dhe a besoni se ka ardhur koha e arrestimeve të të ashtuquajturve “Peshqit e Mëdhenj”?
Kodoshët e drejtësisë dhe ata te ashtuquajturit te paprekshmit ose “peshqit e mëdhenj” po iu mbaron koha dhe kjo kategori nuk është më e paprekshme! Rigjykimi i “21 Janarit” është vetëm fillimi i një Dimri të madh e të tejzgjatur ! Koha punon vetëm për qytetarët tanë të nderuar që çdo ditë politika dhe unë personalisht ju jam borxhlinj!